DURRES, 7 maj 2013– Ish-Drejtori i Inspektoriatit Rajonal Ndërtimor Urbanistik Kombëtar në Durrës është vënë në pranga për përfitime të paligjshme.
Sipas burimeve zyrtare të policisë së Durrësit, Skënder Koni 65 vjeç dhe Elsa Zoto, 51 vjeçe, gjithashtu dhe kjo shtetase e arrestuar, në bashkëpunim dhe me një tjetër person të shpallur në kërkim, kanë kërkuar dhe marrë përfitime të paligjshme për të regjistruar dhe legalizuar prona të disa banorëve të vendosur në një truall me sipërfaqe 3253 m2.
Ata janë arrestuar në kuadër të operacionit "Prona e premtuar", pasi dy ditë më parë gjykata e Durrësit kishte caktuar masën arrest me burg.
Mbrëmjen e djeshme me datë 06.05.2013, ora 21.00, në kuadër të një operacioni policor të realizuar nga Sektori Kundër Krimit Financiar në bashkëpunim edhe me Njesinë e Përbashkët Hetimore të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, koduar ”Prona e premtuar”, u krye ekzekutimi i vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës të datës 05.05.2013, sipas së cilëve është përcaktuar masa e sigurimit "Arrest në burg" për shtetasit: Elsa Zoto, 51 vjeçe, banuese në Durrës dhe Skënder Koni, 65 vjeç, banues në Durrës.
Kjo Gjykatë ka vendosur të njëjtën masë sigurimi edhe për një shtetas të tretë të shpallur në kërkim, identiteti i të cilit për shkak të hetimit nuk bëhet publik.
Sipas policisë së Durrësit, në bazë të punës hetimore që këto struktura kanë kryer dyshohet se shtetasit në fjalë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kërkuar dhe marrë përfitime të paligjshme për të regjistruar dhe legalizuar prona të disa banorëve të vendosur në një truall me sipërfaqe 3253 m 2.
Këta shtetas akuzohen për veprën penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që kryejnë funksione publike” në bashkëpunim.
Sipas policisë materialet në ngarkim të tyre iu përcollën Prokurorisë për ndjekje.





