Letër e hapur drejtuar spitalit rajonal dhe deputetes mjeke

DURRËS, 21 tetor 2013 – Ndërsa bëhen spektakle edhe nga ministri i ri i Shëndetësisë Ilir Beqja, që është ende dhe deputet i qarkut të Durrësit, në spitalin rajonal të qytet bregdetar ka një situatë dramatike. Për shkak se këtu mungon një reagjent për skanerin, i aksidentuari Krenar Nanushi më 16 tetor 2013, nuk përfiton nga mundësia e ekzaminimit dhe ndodhet në koma. E ëma e tij, nëpërmjet rrjetit social Facebook, bën një thirrje të thekshme për të shpëtuar jetën e të birit. Ja teksti.

Më ka rënë një hall i madh, sepse djali im, Krenar Nanushi, 36 vjeç, ka bërë një aksident edhe është në gjendje shumë të rëndë. Doktorët na thanë që, pas 72 orësh në koma, do t’i bënin skanim për të parë se çfarë po i ndodh. Por 72 orët kanë kaluar dhe ai prapë në koma është dhe akoma nuk ka bërë një skanim.

Doktorët panë që ky afat skadoi dhe na thanë, bashkë me deputeten, që nuk ka skaner spitali, sepse i mungon një solucion, që arrin pas një jave.

Por sa aksidente ndodhin në një javë? Sa njerëz do të vdesin për gabimet e spitaleve? Pse populli i shkretë duhet t’i përtypë këto skandale?

Mjekë, ju lutem shumë, merrni në konsideratë zgjidhjen e problemit. Ju lutem shumë të ndërhyni së bashku sa më parë. Mbase, unë vetëm nuk mund të ndryshoj gjërat, por të gjithë së bashku jam e bindur që mund të bëjmë diferencën. Ju kërkon ndihmë një nënë që rri natë-ditë te dera e spitalit dhe nuk di çfarë sjell minuta.

Fatime Domi, Durrës

Info i “Dyrrah”-ut

Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrësit njoftoi se më 16 tetor 2013, rreth orës 17.00, në segmentin rrugor Durrës-Tiranë, në afërsi të pikës së karburantit “Elda, një kamion Benz me targa TR4057L, u përplas po me një Benz, veturë, me targa AMG, qe drejtohej nga 32-vjeçari Stilian Mullaj, banues në lagjen nr. 18 Durrës. Për pasojë, ka gjetur vdekjen drejtuesi i veturës, si dhe është plagosur rëndë 36-vjeçari Krenar Nanushi, banues në lagjen po nga lagja nr. 18, i cili ishte pasagjer në veturë. I plagosuri ndodhet nën trajtim mjekësor në spitalin rajonal Durrës.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/