Në prag të mbledhjes së fundit të Këshillit Bashkiak për këtë vit, kryetari i njësisë administrative nr.6 në Durrës, Serjan Mazreku ka lëshuar një apel për anëtarët e këtij këshilli.
Në një postim në Facebook, Mazreku apelon për miratimin e buxhetit të vitit 2018, i cili parashikon ndër të tjera ndërtimin e një mbikalimi në zonën e ish-Kenetës. Mungesa e këtij mblikalimi rrezikon çdo ditë jetën e 600 fëmijëve të kësaj zone që për të shkuar në shkollë u duhet të kalojnë në një rrugë me trafik të rënduar.
“Nëse femijët nisen për në shkollë dhe nuk kthehen më sepse pësojnë nje vdekje aksidentale për faj të mungesës së një mbikalimi kjo është e papranueshme. Jeta e këtyre fëmijëve ka vleren e 1000 mbikalimeve!”,- shkruan Mazreku.
Postimin e tij Mazreku e shoqëron edhe me foto që ilustrojnë rrezikun që u kanoset çdo ditë fëmijëve të mitur, të detyruar të kalojnë dy herë në ditë nga njëra anë e rrugës nacionale në tjetrën përmes morisë së automjeteve, që lëvizin me shpejtësi të madhe.
Mbledhja e Këshillit Bashkiak do të mbahet paraditen e sotme dhe në rend të ditës është miratimi i buxhetit të vitit 2018. Kujtojmë se një muaj më parë, buxheti i bashkisë Durrës u rrëzua, pasi këshilltarët e PD dhe LSI bashkuan votat dhe votuan kundër.
Statusi i plotë i Serjan Mazrekut:
Te nderuar dhe të rrespektuar Anetarë të Këshillit Bashkiak të Durrësit, në mënyrë njerëzore, qoftë një moment, lerini pazaret politike dhe miratoni buxhetin e vitit 2018-të, mbikalimin në zonën e ish-kënetës “Durresi Ri” ku rrezikojnë jetën 600 fëmijë, nxënës që cdo ditë duhet të kalojnë në rruge të rrezikshme për të shkuar ne shkollë! Kush nga ju ka fëmijë e di shumë mirë cdo të thotë të kesh një dhimbje fëmije të vdekur rrugëve dhe me e dhimbshmja ështe kur një fëmijë vdes për fajin e dikujt tjeter.
Nëse femijët nisen për në shkollë dhe nuk kthehen më sepse pësojnë nje vdekje aksidentale për faj të mungesës së një mbikalimi kjo është e papranueshme. Jeta e këtyre fëmijëve ka vleren e 1000 mbikalimeve!
Ju bej thirrje që ta keni pikë të parë këtë mbikalim pasi banorët janë shumë të revoltuar dhe disa herë un kam shmangur protesta të kërkuara nga vet ata, por me ankesat që po më vijnë dita dites në zyrën time, e ndjej veten në përgjegjësi dhe përgjegjësia bie mbi të gjith ju Anetarët e Këshillit Bashkiak sepse këta banorë spo kërkojnë asgjë me teper sesa sigurimin e jetës së fëmijëve të tyre.
Dhe ne e kemi per detyrim tju sherbejme!





