Familja Pelivani jeton prej 20 vitesh në ish-Kënetë në një barakë në kushte shumë të vështira, mes ujit dhe lagështirës.
Kryefamiljari Nezlati ka probleme të shumta shëndetësore dhe shpesh herë ka përfunduar në spital për shkak të zemrës apo tensionit të lartë.
Vite më parë, ai nisi të ndërtonte banesën e re, por për shkak të shëndetit të ligë dhe pamundësisë ekonomike, punimet u ndërprenë dhe objekti mbeti i hapur.
Kryetari i njësisë administrative nr.6, Serjan Mazrreku përmes një postimi në Facebook ka treguar që ka vizituar familjen Pelivani, të cilës i ka dhuruar pagën e tij ndërsa ka ndarë me ta edhe iniciativën e ndërmarrë në këtë muaj festash.
“Unë kam marrë iniciativën në këtë muaj festash, Viti i Ri që vjen mos t’iu gjejë më në këto kushte të vështira. Me shokë, me miq, me biznese të zonës të bëjmë shtëpinë e re që dhe ju të gëzoni Vitin e Ri si gjithë të tjerët, në një banesë normale”, shprehet kreu i njësisë administrative.
“Një dhomë duam, sa të dalim nga lagështira, nga myku.”, thotë e zonja e shtëpisë mes lotësh ndërsa tregon se kanë marrë para borxh për të blerë ilaçet që i duhen të shoqit për t’u kuruar.
“Unë sot dhurova pagen time për familjen Pelivani, nje page simbolike por kuptimplote per misionin e saj. Të bëhemi sa më shumë njerez duke kontribuar që kjo familje të jetoj në një shtëpi me kushtet optimale njerezore. Te gjithe bashkë mundemi, t’ia lehtesojme sado pak dhimbjen familjes Pelivani”, shkruan Mazrreku krahas videos, ku komentues të shumtë i janë bashkuar kësaj nisme për të dhënë ndihmë monetare për përfundimin e banesës një katëshe.