DURRËS, 14 prill 2014 – Një nga qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë, me një plejadë arkitektësh të shquar në dekada, ka krijuar një degë të Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë.
Më 11 prill 2014, me nismën e arkitektit të talentuar, ish-kryetar i këshillit bashkiak të qytetit bregdetar Indrit Hamiti, është mbledhur një asamble e arkitektëve të qytetit të Durrësit për të diskutuar për krijimin e degës së Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë (SHASH).
Ishin të pranishëm edhe dy të deleguar nga Tirana, dy zëvendëskryetarët e SHASH-it, Arben Biçoku dhe Maksim Mitrojorgji (kryetar ad hoc).
Mitrojorgji foli për synimin që ka SHASH-i për krijimin e degëve në Vlorë, Korçë, Elbasan, Fier, Shkodër; si dhe parashtroi rëndësinë e aktivizimit të masës së arkitektëve, konfirmimin e anëtarësisë, si dhe për punën e bërë deri tani në fushën e legjislacionit; duke bërë thirrje për bashkimin e zërave të veçuar në mënyrë që të ndikohet në vendimmarrje etj.
NGA KORÇA TEK ISH-LULISHTE “1 MAJI” DURRËS
Ky aspekt u nënvizua nisur nga një ngjarje interesante në Korçë, kur të gjithë arkitektët dhe urbanistët, njëzëri, pavarësisht bindjeve politike, në vitin 2010, detyruan ish-kryebashkiakun, sot zëvendëskryeministër Niko Peleshi, të anulonte planin urbanistik të qytetit juglindor të vendit.
Tani pritet miratimi i planit urbanistik të Durrësit, konfirmoi drejtori i Urbanistikës në Bashki Adhurim Qehajaj. Kurse Biçoku konsideroi skandal dëmtimin e pasurisë arkeologjike në territorin e ish-lulishtes “1 Maji” në Durrës. Arkitektët e Durrësit, sikurse është ikona e tyre Hajdar Kovaçi, Qehajaj etj. vlerësuan nismën e SHASH-it për krijimin e degëve, si dhe ngritën disa probleme.
KONFERENCA
Mitrojorgji dhe Biçoku folën dhe për një veprimtari të rëndësishme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, sikurse është organizimi i Konferencës së Arkitekturës. Tema e konferencës, që do të mbahet më 10 qershor 2014, është “Planifikimi urban dhe peizazhi historik i qytetit”, që ka rëndësi të posaçme dhe për problematikën e Durrësit.
Sipas folësve nga Tirana synohet, së pari, evidentimi i vlerave urbanistike-arkitektonike të peizazhit urban në qytetet shqiptare dhe rolit që këto vlera luajnë në cilësinë e jetës së përditshme. Vënia në dukje e faktit se peizazhi historik i qytetit është pjesë shumë e rëndësishme e peizazhit kulturor të tij dhe si i tillë merr pjesë aktive në formimin e ndërgjegjes shoqërore të banorëve; së dyti, evidentimi i sfidave që duhet të përballojnë specialistët urbanistë dhe arkitektë në vlerësimin e peizazhit historik të qytetit gjatë praktikës së planifikimit urban dhe projektimit arkitektonik në zonat urbane me situata të formuara historikisht; së treti, përqasja e veprimeve të arkitektëve me strategjitë dhe rekomandimet e UNESCO-s për vlerësimin, konservimin, restaurimin dhe rijetësimin e peizazhit historik të qytetit në procesin e një zhvillimi të qëndrueshëm, s dhe plotësimi i kuadrit ligjor dhe rregullator në trajtimin e këtij fenomeni në vendin tonë; së fundi ndërtimin e politikave gjithëpërfshirëse në vlerësimin e peizazhit historik të qytetit por dhe gjatë planifikimit të zhvillimit; gjetjen e rrugëve për bashkëjetesën e të resë me të vjetrën dhe harmonizimin e situatave vizuale që shprehin identitetin e qyteteve tona.
Specialistë nga Kosova do të jenë pjesë e lektorëve të konferencës.
Janë parashikuar të kumtojnë edhe Indrit Hamiti për temën “Vështrim mbi peizazhin historik të qytetit të Durrësit dhe Johana Klemo “Ideniteti i një qyteti. Peizazhi historik dhe instrumentet e planifikimit të qytetit të Durrësit”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





