DURRËS, 18 janar 2014 – Durrësi, jo vetëm si qyteti i dytë më i madh i vendit, por edhe si port detar, është në shënjestër të trafikuesve të mjeteve motorike, pasi gjatë vitit 2013, policia ka evidentuar 25 vepra penale dhe ka sekuestruar 80 automjete të llojeve të ndryshme. Sipas një referimi zyrtar, blutë e Durrësit kanë marrë pjesë në operacionin ndërkombëtar të koduar “Eurocar-Albania”, ku në bashkëpunim me drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit është bërë sekuestrimi i 4 automjeteve që kanë rezultuar të vjedhura në vendet e Bashkimit Evropian. Në operacionin “Pranverë 2013” u kontrolluan 123 automjeteve në të gjithë qarkun e Durrësit, ku gjetën 9 makina të trafikuara. Kurse operacioni “Start 2013” goditi vjedhjen e makinave luksoze në lagjen nr. 13 Durrës, me ndezje. Një “trio” ka vjedhur 6 automjete të tilla në vitin 2012 dhe 3 gjatë muajit janar 2013. Gjatë operacionit “Golfi”, u arrestua dhe një “trio” tjetër, që ka vjedhur 13 automjete tip “Golf 2”, kryesisht pushuesve kosovarë në lagjen nr. 13 (Plazh).
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





