DURRES, 11 mars 2013 – Megjithëse këto ditët e fundit Ministria e Drejtësisë ka nisur prezantimin e paketës ligjore të drejtësisë kriminale, dhuna në familje vazhdon me intensitet të lartë. Paketa në fjalë propozon masa më të rrepta ndëshkuese për autorët e dhunës në familje, fenomen ky që po trondit çdo ditë shoqërinë tonë dhe që ka shkaktuar jo pak viktima në rradhët e grave dhe vajzave.

Vetëm gjatë fundjavës në qarkun e Durrësit janë dokumentuar si raste “dhunë në familje”, 5 denoncime të bëra nga femra të dhunuara fizikisht dhe psikologjikisht nga djemtë, bashkëshortët apo të afërmit e këtyre të fundit.

Dy rastet me flagrante janë regjistruar në Fushë Krujë dhe Durrës, ku dy femra të moshuara, përkatësisht 65 dhe 83 vjeç janë dhunuar nga djemtë e tyre. Sipas njoftimit për shtyp të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës “gjatë fundjavës u plotësua Kërkesë-Padia për Lëshimin e Urdhërit të Mbrojtjes së Menjëhershme për një shtetase 65-vjeçare, banuese ne Fushë Krujë, e cila deklaron se ndaj saj ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike djali i saj, shtetasi Sh.D., 38 vjeç si dhe për një shtetase 83-vjeçare, banuese në rrethin Durrës, e cila ka denoncuar dhunën fizike e psikologjike të ushtruar nga djali i saj, N.M., 49 vjeç”.

Ndërkohë dy raste të tjera dhune të ushtruara këtë herë nga ana e bashkëshortëve kundrejt grave dhe vajzave të tyre janë regjistruar në Krujë dhe Durrës.

Pasojat e dhunës në familje i ka vuajtur një e re 22 vjeçare nga Kruja, që është dhunuar nga bashkëshorti i saj shtetasi R.K., 28 vjeç dhe një grua që është goditur nga bashkëshorti i saj, shtetasit T.K., 50 vjeç, banues në Durrës.

Në rastin e fundit, megjithëse bashkëshorti dhunues me iniciale T.K. ndalohej me ligj t’i afrohej gruas së tij, sepse ajo kishte përfituar Urdhër Mbrojtjeje të lëshuar nga gjykata vetëm 2 muaj më parë, ai nuk ka nguruar të godasë me sende të forta gruan dhe vajzën e tij. 50 vjeçari është duke u ndjekur penalisht në gjendje të lirë, për veprat penale “Dhunë në familje” e ”Pengim për ekzekutimin e  vendimeve të gjykatës” të kryera 3 ditë më parë.
Ndërkohë pasojat e dhunës në familje i ka vuajtur edhe një nënë e re 26 vjeçare, që megjithëse ishte në proces divorci me të shoqin, nuk ka mundur t’i shpëtojë rrahjes mizore nga ana e familjarëve të tij.

Burime policore bëjnë të ditur se e reja 26 vjeçare kishte shkuar të takonte fëmijët e saj në familjen e ish bashkëshortit, por është përballur me shkelmat dhe grushtat e të afërmit të këtij të fundit. Pas marrjes së denoncimit nga ana e 26 vjeçares, policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit M.M., 67 vjeç, banues në rrethin Durrës, i cili rezulton të jetë autori i rrahjes barbare të nënës së re.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/