DURRËS, 30 dhjetor 2013 – Në zonat rurale mbizotërojnë motoçikletat për lëvizje, të cilat në shumë raste janë të ekspozuara nga karambolet me automjetet (shih foton ilustruese kryesore), sikurse ka ndodhur në dy raste në rrethin e Krujës dhe në atë të Durrësit. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrës-Krujës, njofton se më datë 29 dhjetor 2013, ora 19.30, u arrestua Artian S., 48 vjeç, nga fshati Kullë i bashkisë së Sukthit. Rreth orës 15.10, duke drejtuar furgonin me targa DR0562E, në segmentin rrugor Manzë-Maminas, u përplas me një motoçikletë 50cc që drejtohej nga B. D., 20 vjeç, nga fshati Radë i bashkisë së Manzës. U lënduan B. D., që është në gjendje të rëndë në spitalin Durrës dhe udhëtari i tij, M. B., 22 vjeç, nga Rada, por jashtë rrezikut për jetën. Vëmë në dukje se rrjeti rrugor në zonat rurale të Durrësit e Krujës është tejet i zhvilluar dhe ka trafik (shihni poshtë hartat e zonës Sukth- Kullë-Manzë-Radë-Maminas dhe Fushë-Krujës, rrugët me ngjyrë të verdhë). Kurse më 29 dhjetor 2013, ora 24.00, u arrestua Ajet M., 23 vjeç, nga fshati Larushk i bashkisë së Fushë-Krujës, sepse rreth orës 16.30, në Larushk, duke drejtuar një “Lancia” pa targa dhe pa leje drejtimi, u përplas me motoçikletën “Honda” me targa AIX78418, me drejtues I. A., 43 vjeç, nga Miloti i Kurbinit. I. A. shpëtoi me dëmtime të lehta në trup.
Info
Bashkia e Sukthit ka në përbërje qytetin e Sukthit dhe fshatrat Hamallaj, Kullë, Perlat, Vadardhë, Rrushkull.
Bashkia e Manzës ka në përbërje qendrën administrative Manzë e Re (Kuçok) dhe fshatrat Armath, Borç, Hamallaj, Kameras, Manzë e Vjetër, Radë, Shkallë.
Bashkia e Fushë-Krujës ka në përbërje qytetin e Fushë-Krujës dhe fshatrat Arameras, Hasan, Larushk, Luz, Fushë Krujë Fshat, Halil (Zgërdhesh).
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/






