Për herë të parë në Durrës është zhvilluar “Dita Hungareze e Biznesit dhe Kulturës”, ku aktiviteti më i eëndësishëm i përket Forumit të Biznesit. Fillimisht kryebashkiaku Vangjush Dako ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Hungarisë në vendin tonë Antal Heizer, me të cilin ka bashkëbiseduar rreth forcimit të bashkëpunimit të mëtejshëm midis qytetit të Durrësit dhe Hungarisë në fushën e turizmit, ekonomisë dhe në hapat që do të ndërmerren për thithjen e investimeve hungareze në Durrës.
Më pas, në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit, është zhvilluar Forumi i Biznesit, ku merrnin pjesë, përveç kryebashkiakut Dako dhe ambasadorit Heizer, edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit, Andrea Xhavara, dhe binesmenë të njohur të qytetit, si edhe specialistë të fushave të ndryshme. Qëllimi i këtij forumi ishte rritja e bashkëpunimit midis kompanive shqiptare dhe hungareze, pasi të dy vendet kanë ende shumë potencial ekonomik të pashfrytëzuar.
Nga ana tjetër, Banka Hungareze për Eksport-Import (EXIM) ofron financim të favorshëm dhe sigurim të produkteve, të cilat janë kontribut i madh për zhvillimin e mëtejshëm të tregtisë dhe lidhjeve ekonomike ndërmjet bizneseve hungareze dhe shqiptare. Aktualisht, sipas statistikave hungareze, vëllimi i eksportit nga Hungaria në Shqipëri u rrit me gati 40%, dhe në janar-nëntor të vitit 2015 arritën 63,5 milionë euro në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Kam kënaqësinë të mirëpres sot në qytetin e Durrësit këtë forum të rëndësishëm, ku ndërthuren biznesi dhe kultura. Në vazhdën e forcimit të maredhënieve me Hungarinë, me organizimin e këtij takimi krijohen mundësi të reja në shfrytëzimin e potencialeve ekonomike dhe kulturore të ndërsjellëta,” – tha kryebashkiaku Dako.
Në Forumin e Biznesit, ambasadori humgarez Heizer tha se “Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë mbështet shumë veprimtarinë e kompanive hungareze në rajonin e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillim.” “Ne duam të forcojmë marrëdhëniet me Shqipërinë nëpërmjet bashkëpunimit në menaxhimin e ujit dhe të energjisë së rinovueshme, ushqim dhe bujqësi dhe sektorin e transportit. Ne mendojmë se bashkëpunimi ekonomik do të hyjë në një dimension të ri dhe do të prodhojë rezultate në të ardhmen e afërt,” – tha ambasadori Heizer.





