DURRËS, 23 dhjetor 2014 –  Me rastin e festave të fundvitit, Bashkia e Durrësit, në bashkëpunim me të gjithë institucionet dhe OJF-të që ofrojnë shërbime ditore dhe rezidenciale për fëmijët në nevojë, organizuan më 22 dhjetor 2014 në teatrin “Aleksandër Moisiu” veprimtarinë me temë “Festojmë së bashku me dhe për fëmijët ”, ku merrte pjesë kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. 

“Bashkia e Durrësit gjithmonë do të ketë në vëmendje fëmijët në nevojë, madje, vitin e ardhshëm do të ndërtojë një qendër për fëmijët në nevojë, duke zbutur sadopak problemet e familjeve dhe të vetë këtyre fëmijëve”, tha qytetari nr. 1 i Durrësit. 

Më pas kryebashkiaku Dako ka dorëzuar certifikata falënderimi dhe mirënjohjeje për organizatat e ndryshme, që ofrojnë shërbime për fëmijët në nevojë si dhe për fëmijët e qendrave ditore që kane qenë aktivë dhe të përfshirë në vazhdimësi në aktivitete të ndryshme që promovojnë të drejtat e fëmijëve. Gjithashtu u shpërndau dhurata fëmijëve jetimë, fëmijëve me aftësi të veçanta, fëmijëve në nevojë të zonave periferike të qytetit, fëmijëve romë dhe egjiptianë etj. Të gjithë të pranishmit kanë ndjekur edhe një aktivitet artistik të organizuar nga vetë fëmijët në nevojë me rastin e festive të fundvitit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/