DURRËS, 3 nëntor 2014 –  Mikpritësi i Forumit të parë ndërkombëtar në Shqipëri mbi “Qytetin inteligjent” (Smart City), kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, solli përvojën e re, mbi të cilën po planifikohen projekte e reja në qytetin e Durrësit për rikualifikimin e hapësirave urbane.

Duke renditur disa prej projekteve më të rëndësishme, Dako theksoi se ato janë produkt i një analize të mirëdetajuar për të shfrytëzuar maksimalisht hapësirat publike.

Kryebashkiaku i Durrësit, mes të tjerave, u shpreh:

“Sot jemi duke realizuar shumë projekte të cilat i kemi në fazën e ndërtimit. Mund të përmend rikualifikimin e mbikalimit të Plepave; rikonstruksionin dhe rivënien në jetë të nënkalimit të rëndësishëm tek Ura e Dajlanit dhe sheshin qendror të qytetit.

Në të gjitha projektet kemi kombinuar elementët teknikë të projektimit të qëndrueshëm, si gjelbërimin, gurët natyrorë, modele të ndjekura në të gjitha qytetet moderne të Mesdheut.

Në temën e lëvizjes së qëndrueshme kemi bërë rrugën e plazhit, me 7 km korsi biçikletash, e cila është e lidhur me rrugën e re që po ndërtojmë paralel me murin e portit.

Në temën e mbrojtjes së mjedisit kemi krijimin e parkut të gjelbër në zonën e ish-Kënetës, i cili në të ardhmen do të bëhet edhe mushkëria e qytetit të Durrësit.

Në temën e informatizimit, prej disa kohësh gjithashtu bashkia është në proces informatizimi, i cili ul ndjeshëm burokracinë e ligjit shqiptar dhe afron qytetarët me institucionet e qeverisjes vendore”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/