DURRES, 15 mars 2013 – Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur sot komandantin e nëndetëses turke Yucel Kalacos të shoqëruar nga atasheu ushtarak turk në Shqipëri, Nizametin Bogar. Nëndetësja turke ka mbërritur në portin e Durrësit pas një stërvitjeje të sapo përfunduar të NATO-s.
Komandanti i nëndetëses turke Yucel Kalacos dhe ushtarakë të tjerë që e shoqëronin i kanë shprehur kryebashkiakut Dako kënaqësinë e kësaj vizite në Durrës si dhe kanë diskutuar me këtë të fundit çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ushtarak në kuadër të NATO-s si dhe miqësinë që ekziston midis popullit shqiptar dhe atij turk. Kryebashkiaku Dako, pasi u ka shprehur mirëseardhjen në Durrës ushtarakëve të kësaj nëndetëse, i ka njohur ushtarakët turq me resurset e shumta që ofron qyteti i Durrësit në të gjitha planet. Gjithashtu ai ka bërë edhe një ekspoze të shkurtër të vlerave të rralla historike, arkeologjike, por edhe ushtarake që ka qyteti ynë. Në fund të këtij takimi tepër të ngrohtë e miqësor kryebashkiaku Dako i ka dhuruar komandantit të nëndetëses turke simbolet e qytetit të Durrësit, ndërkohë që nga ana e tij komandanti i nëndetëses i ka dhuruar kryebashkiakut Dako simbolin e mjetit lundrues ushtarak.
Nëndetësja turke "TCG ANAFARTALAR" S-356 ka vizituar vendin tonë në kuadër të një vizite portuale që është e përfshirë në Planin e Bashkëpunimit Ushtarak Dypalësh, Shqipëri-Turqi për vitin 2013. Qëllimi i kësaj vizite është shkëmbimi i eksperiencës midis forcave detare të Shqipërisë dhe forcave detare turke.
/m.l. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





