Durrës, 22 prill 2014 – Sipas medias italiane “Da Bitonto” mësojmë se Kryebashkiaku durrsak Vangjush Dako, nesër, në krye të një delegacioni të Bashkisë së Durrësit do vizitojë Bashkinë e Bitontos (53 000 banorë), në rajonin e Pulias. Kjo vizitë konfirmohet nga Kryebashkiaku i Bitontos, Mikele Abatikio (Michele Abbaticchio), i cili në emër të banorëve të këtij qyteti do i urojë delegacionit durrsak mirëseardhjen në “Sallën e Pasqyrave”, në pallatin “Gentile”. Pritet që të jetë prezent në Bitonto, krahas konsullit shqiptar në Bari edhe ambasadori shqiptar në Romë, Neritan Ceka.
Kryetari i Këshillit Bashkiak të Bitontos, Vito Palmieri e konsideron Portin e Durrësit si portin më të rëndësishëm të bregdetit ballkanik të Adriatikut, prandaj edhe këmbëngul në forcimin e lidhjeve ekonomike, kulturore, turistike etj.të Rajonit të Puljes me Durrësin.
Sipas Palmierit, Shkëlqesia e tij, Kryebashkiaku Dako dhe Kryebashkiaku Abatikio nesër në ora 10.00 do të nënshkruajnë një marrëveshje tregtaro-kulturore midis dy bashkive. Kjo marrëveshje do të stimulojë akoma më tej shkëmbimet tregtare dhe kulturore ndërmjet dy brigjeve të Adriatikut. Ndër të tjera kjo marrëveshje përfshin edhe krijimin në Bitonto të një qendre shqiptaro –italiane, e cila do të jetë një sinjal pozitiv për shqiptarët që jetojnë si emigrantë në Bitonto.
Z. Palmieri shpreh falenderimet e tij për qytetarin e parë të Durrësit, që me xhentilesë iu përgjigj pozitivisht ftesës së Bashkisë së Bitontos për të firmosur këtë marrëveshje ndërmjet dy qyteteve. Sipas tij, Strasburgu i shikon me kënaqësi lidhje të tilla midis qyteteve europiane dhe qyteteve të vendeve jo komunitare, por që aspirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Europian si në rastin e Shqipërisë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





