DURRËS, 3 shkurt 2014 – Kreu i Ekzekutivit shqiptar Edi Rama vjen në një tur të dytë, brenda pak ditësh, në qytetin e stërgjyshit, gjyshit dhe të atit. Duket se për Ramën ende vazhdon “fushata” elektorale. Kryeministri Rama përuroi në fillim-javë, më 3 shkurt 2014, zyrën e re të punësimit në qytetin e Durrësit, në mjediset e ish-Interklubit. Kryeministri tha se “do të na duhet mbështetja e Dhomave të Tregtisë, e përfaqësive të organizuara të biznesit, e autoriteteve vendore, që padyshim do të mund të na japin një vlerë të shtuar dhe të pazëvendësueshme për të na garantuar që ato vende pune që janë në dispozicion të bëhen të njohura për të gjithë ata që kërkojnë një punë”. Në të njëjtën ditë shefi i qeverisë inspektoi punimet për ndërtimin e mbikalimit të Shkozetit. I shoqëruar nga ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto dhe kryetari i bashkisë së Durrësit, Vagjush Dako, shefi i ekzekutivit u informua mbi ritmet e punimeve, për projektin që financohet nga Banka Kuvajtiane. Tashmë rruga Plepa-Shkozet ka përfunduar, ndërsa mbikalimi po ndërtohet në afërsi të ish-ndërmarrjes së Gomës (fotot: Gëzim Kabashi – ATSH).
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





