· PD: Kryeministri shpërndau tapi të përgatitura nga administrata e mëparshme
DURRËS, 25 shtator 2014 – Ndonëse nuk ka bërë njoftim nga zyra e shtypit, kryeministri Edi Rama ka “fishkëllyer” në “Twitter”, me një frazë tipike për të, shoqëruar me foto: “Në DR për ditën e 1000 legalizimeve. Familja e djalit ka aplikuar kur ky ishte 16 vjeç dhe djali pasnesër martohet”, ndërkohë që SHQUP-i ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po bën show me tapitë e lëna gati.
NUK VIJMË PËR FUSHATË
Pasditen e 24 shtatorit 2014, në stadiumin e Durrësit “Niko Dovana”, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit znj. Eglantinë Gjermeni, deputetë të Durrësit dhe zyrtarë të tjerë qendrorë dhe vendorë, ishte në një miting, ku shpërndau 1 000 tapi për banorë të këtij qytetit.
Rama tha se legalizimet do të vijojnë në mënyrë intensive, si një proces i hapur nga qeveria, që nuk do të përdoret për kohë fushate.
“Sot 1 mijë familje marrin në duart e tyre lejet e legalizimeve. Vijmë në vazhdimin e një procesi të hapur, nuk e lamë të vijmë kur të vijë fushata e radhës elektorale”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se ndryshe nga qeveria e kaluar e cila kreu 2 407 legalizime në 8 vjet, qeveria e sotshme po “legalizon dhe po kthen në pronë mundin e 1 000 familjeve” vetëm për qytetin e Durrësit. Më tej Rama shtoi se gjatë qeverisjes së PD-së, në shumë qytete janë legalizuar objekte që janë në kundërshtim me projektet urbanistike.
MË 25 SHTATOR RISHIKIM BUXHETIT
Shefi i ekzekutivit dhe kryetari i partisë në pushtet, deklaroi:
“Ne jemi shumë të kënaqur që vijmë sot këtu dhe unë jam i kënaqur edhe për një arsye tjetër, sepse ne, nesër në parlament, do të kalojmë rishikimin e buxhetit. Për herë të parë pas 5 vitesh rresht, buxhetin qeveria e rishikon, jo sepse i mungojnë lekë, por sepse ka më shumë lekë në dispozicion për të bërë investime. 5 vite rresht, në fillim të vitit e parashikonin buxhetin njësoj si të parashikosh, hajde ta blejmë këtë shtëpinë, me idenë se do të fitojmë bastet se është kampionati botëror këtë vit. Pastaj, në shtator, sikur kishin humbur bastet, e ulnin buxhetin dhe e linin popullin në diell edhe rrugët, rrugëve. Ndërkohë që, ne bëmë një parashikim të buxhetit realist. Kemi mbledhur më shumë të ardhura falë rritjes së ritmit të punës, uljes së korrupsionit, rritjes së transparencës në dogana dhe në tatime.
KËNETA ËSHTË KËNETË DHE JO “DURRËSI I RI”
Nesër do të miratojmë në parlament një program plus investimesh për muajt e mbetur. Një nga pjesët e këtij programi është një investim shumë i fortë që do të bëjmë në të gjithë zonën e Kënetës në Durrës, në Durrësin e ri, po themi. Ju i thoni Durrësi i ri, por ajo akoma Këneta është. Kështu që, Durrësi i ri do të bëhet pasi të legalizojmë shtëpitë, pasi të bëjmë edhe investimet e duhura, rrugët, ndriçimin, kopshtet, çerdhet. Atëherë do të jetë tamam Durrësi i ri, tani është Këneta, që të paktën shpëtoi nga rrënimi i mëtejshëm. Aty duhet të lindim Durrësin e ri, nuk duhet të rilindim Kënetën.
Ne nuk do të lëmë në baltë askënd nga ata që kanë ndërtuar shtëpinë e tyre dhe që i kanë dhënë formë me tulla dhe me tjegulla, ëndrrës që i ka sjellë nga larg ose nga afër në kënetën e Durrësit apo në zonat përreth qyteteve të mëdha. Por, ne nuk kemi për të falur asnjë që ka zaptuar për qëllime fitimi jo për shtëpi, pjese që i takojnë të gjithëve dhe që ka penguar dhe pengon që Shqipëria të dali në dritë ashtu siç e meriton.
JO MË ZAPTIME
Është e papranueshme dhe e pamundur që të tolerohet që të legalizohen dhe të qëndrojnë për gjithë jetën me tapi, lokale nga me të shëmtuarit që shëmtojnë bukurira të jashtëzakonshme, qoftë në bregdet, qoftë në Liqenin e Pogradecit, qoftë në qytete. Apo është e patolerueshme që sot të këtë akoma njerëz që kujtojnë se mund të zaptojnë tokë, mund të zaptojnë trotuare, mund të zaptojnë mesin e lagjes dhe të ngrijnë lokale. Të gjitha këto nuk do të kenë asnjë shans të shpëtojnë. Dhe të gjithë ata të cilët venë sot një tullë pa leje nuk kanë më asnjë shans që të mos ndëshkohen”.
OPOZITA: KRYEMASHTRIM
Por ka reaguar SHQUPI-i nëpërmjet koordinatores për mediet Silvi Bardhi:
“Edi Rama shpërndau sot para kamerave, tapi të përgatitura nga administrata e mëparshme. Prej më shumë se një viti, ALUZINI i tij, nuk bën asgjë, nuk ka përgatitur asnjë dosje të re, madje po mban peng mijëra praktika të vjetra. Sa më shumë të bëjë shoë Edi Rama me dosje që i gjeti gati, aq më shumë del në pah mashtrimi i tij për legalizim falas.
Legalizimi falas, as nuk ndodhi, as nuk ka për të ndodhur. Kryemashtrimi i fushatës elektorale, ishte nga të parët që u braktis nga Edi Rama sapo erdhi në pushtet.
Por hipokrizia e tij nuk njeh kufij mesa duket.
Në vend që të pranojë se legalizimi falas ishte një gënjeshtër elektorale, Edi Rama del dhe bën propagandë me punën e bërë nga qeveria e mëparshme.
Nëse mashtrimi i legalizimeve falas i eci në fushatë, mashtrimet e tjera që bën sot para kamerave nuk i ha më askush”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





