DURRËS, 6 dhjetor 2014 –  Muzeu më i madh arkeologjik në Shqipëri, ai i Durrësit me 3 600 artefakte, i cili qëndronte i mbyllur që prej 4 vitesh, do të hap dyert e tij për publikun në fillim të pranverës, pas një pune intensive disamujore rikonstruktuese. Në prag të përurimit punimet u panë nga nga Kryeministri Edi Rama.

Muzeu arkeologjik i Durrësit, do të ofrohet së shpejti për vizitorët vendas dhe të huaj, si një thesar tërësisht i rehabilituar. Të shtunën, më 6 dhjetor 2014, Kryeministri Edi Rama ka qenë për inspektim në Durrës, ku pa nga afër mjediset e muzeut, si dhe ecurinë e punës, që po bëhet aktualisht për muzealizimin e tij, njoftoi zyra e shtypit e qeverisë. Me këtë shpjegohet dhe statusi i Ramës në FB dhe Twitter.

Prej katër vitesh muzeu arkeologjik i Durrësit qëndron i mbyllur, ndonëse në vitin 2010, për rikonstruksionin e tij u akordua një fond prej 1 milion e 200 mijë dollarësh, me të cilin nuk u bë asgjë.

Ministria e Kulturës

Me nismën e Ministrisë së Kulturës, në fund të vitit të kaluar, në koordinim dhe bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës, drejtorinë rajonale, si dhe bashkinë e Durrësit, u bë e mundur mbyllja  e punimeve të rikonstruksionit dhe nisja e punimeve për muzealizimin, i cili përfshin restaurimin e objekteve arkeologjike dhe ekspozimin e tyre.

Ministrja e Kulturës Mirelë Kumbaro tha:

“Me një fond tepër modest ka filluar restaurimi i të gjitha objekteve që nuk ishin prekur që nga vitet 1950, kur është bërë gërmimi i tyre, të cilat do të paraqiten për publikun në kushtet më optimale të ekspozimit. Më shumë se 2 400 objekte do të ekspozohen në ndriçim modern, me ekspozues krejt të rinj, punuar dhe drejtuar nga specialistët tanë. Vënia në funksionim e muzeut arkeologjik do të ecë paralelisht me punimet për amfiteatrin e Durrësit, i cili gjithashtu i është nënshtruar restaurimit. Muzeu do të jetë një nga atraksionet e rëndësishme, sepse do të jetë pjesë e një itinerari që po ndërtojmë me amfiteatrin e Durrësit, i cili dhe ai, i është nënshtruar një restaurimi dhe ndriçimi të ri dhe do të vazhdojmë me rehabilitimin e arenës së brendshme”.

LABORATORI PËR KONSERVIMIN E OBJEKTEVE

Drejtorja e muzealizimit Edlirë Çaushi informoi Kryeministrin:

“Laboratori për konservimin e objekteve arkeologjike është zhvendosur që prej muajit mars në mjediset e muzeut dhe se shumë shpejt pritet të hapet kati i parë i muzeut. Puna ka qenë vërtetë intensive. Ne kemi ardhur këtu që në muajin mars, jemi zhvendosur këtu dhe kemi konservuar të gjitha objektet që do të ekspozohen në katin e parë të ndërtesës. Kemi përfunduar me konservimin e objekteve dhe do të procedojmë me vendosjen nëpër vitrina. Pjesa e madhe e punës ka përfunduar, një pjesë e vogël mbetet për ta mbyllur sa më shpejt. Gjendja e mëparshme e konservimit të objekteve ishte shumë e rëndë, pasi kishin pësuar dëmtime të shumta edhe nga punimet e rikonstruksionit të kryera më parë”.

NDIHMESA E BASHKISË

Në bashkëpunim me bashkinë e Durrësit, është bërë rikualifikimi i hapësirës së jashtme të muzeut, për sa u përket kanalizimeve, drenazhimit dhe ndriçimit të saj.

Zyra e shtypit e Kryeministrisë citon se, “duke e vlerësuar muzeun si një prej aseteve më të mëdha të qytetit të Durrësit”, kryetari i bashkisë Vangjel Dako, tha:

“Bashkia ka ofruar angazhimin maksimal për ta shndërruar atë një destinacion të rëndësishëm kulturor për turistët e vizitorët. Po presim me padurim përfundimin e punimeve, pasi muzeu është aseti më i madh që qyteti i Durrësit ka. Është një pikë shumë e rëndësishme, pasi kushdo që viziton Durrësin, viziton edhe këtë Muze, bën pjesë në atraksionin turistik të qytetit të Durrësit. Prandaj jemi shumë të motivuar që punimet të përfundojnë sa më shpejt. Kemi dhënë edhe kontributin tonë si bashki për rikualifikimin e hapësirës jashtë muzeut. Për pothuajse 20 vite nuk kishte vënë dorë askush. Nga dita në ditë Durrësi po ofron një panoramë krejt të re, një transformim në të gjitha aspektet. Unë i ftoj të gjithë qytetarët të vijnë ta vizitojnë këtë qytet. Jam i bindur se do të shohin një qytet të transformuar, jo vetëm muzeun, por edhe për punët publike që ne jemi duke kryer në qytet dhe sidomos vizitorët nga Kosova dhe Maqedonia që kanë ardhur dhe vitet e tjera, do të shikojnë këtë vit një qytet tjetër të transformuar”.

http://www.kryeministria.al/al/multimedia/video-galeri/ridel-ne-drite-thesari-arkeologjik-i-durresit&page=1

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/