· Shefi i Qeverisë: “Torturë, torturë, torturë! Të gjithë ata që vijnë këtu, sjellim mall dhe… E tmerrshme! Çfarë mirëkuptimi mund t’i kërkosh sipërmarrjes? Çfarë mirëkuptimi mund t’u kërkosh të gjithë atyre që importojnë, të gjithë atyre që vijnë? Gjendja në doganën e Durrësit do të ndryshojë brenda vitit, me çdo çmim”
DURRËS, 26 janar 2014 – Të dielën, më 26 janar 2014, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një inspektim të paparalajmëruar në doganën e Durrësit. Shefi i Ekzekutivit, i shoqëruar nga drejtoresha e përgjithshme e doganave Elisa Spiropali, pa nga afër kushtet e papranueshme, në të cilat u shërbehet bizneseve shqiptare dhe të huaja në dy kioska llamarine, që për më tepër edhe përmbyten në ditë me shi, njofton zyra e shtypit e Këshillit të Ministrave. Dogana e Durrësit është një prej doganave më të rëndësishme në vend edhe sa i takon peshës së të ardhurave që ajo realizon për buxhetin e shtetit.
Drejtoresha e përgjithshme e doganave shprehu shqetësim për kushtet në të cilat u ofrohen shërbimet subjekteve. “Përfytyroni një biznes që vjen për të kryer një procedurë në një zyrë të tillë. Ndërkohë, që dogana e Durrësit dhe e Tiranës përbëjnë 70 për qind të gjithë të ardhurave që mbledh gjithsej sistemi doganor. Vetë sistemi doganor mbledh 60 për qind të buxhetit të shtetit”, nënvizoi Spiropali.
Nga ana e tij, kryetari i degës së doganës së Durrësit ish-deputeti Edison Konomi theksoi shqetësimin që porta kryesore e Shqipërisë, ku përballet çdo subjekt, qoftë i huaj apo shqiptar, gjendet në këtë situatë.
Për Kryeministrin Edi Rama përmirësimi i cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve është domosdoshmëri edhe për shmangien e abuzimeve, ryshfetit e korrupsionit. “S’ka asnjë shans të ketë shërbim profesional në këto kushte dhe s’ka asnjë shans që ne të çlirohemi përfundimisht nga korrupsioni, nga bakshishi, nga vonesat, nga zvarritjet, nga gjithë kjo marrëdhënie skandaloze në këto kushte. Këto janë kushte që e bëjnë të pamundur që ne të kemi një sistem transparent, një sistem funksional, një sistem me normat elementare të të drejtave të njeriut, që ka nevojë për shërbim. Kjo është e pashembullt!”, theksoi Kryeministri.
Dogana e kontejnerëve, nga vetë drejtuesit e doganave, cilësohet si një pikë e rëndësishme e imazhit të vendit dhe fytyra me të cilën prezantohet vendi ynë. “Këtu punojnë doganierët që merren me praktikat e kontejnerëve. Këto përmbyten të gjitha kur bie shi. Është një e treta e doganës së Durrësit”, tregoi Spiropali. Ndërkohë sektori i kontejnerëve është shumë specifik edhe për faktin se në të kryhet pjesa më e madhe e transiteve me vendet e rajonit, me Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, etj..
“Torturë, torturë, torturë! Të gjithë ata që vijnë këtu, sjellim mall dhe… E tmerrshme! Çfarë mirëkuptimi mund t’i kërkosh sipërmarrjes? Çfarë mirëkuptimi mund t’u kërkosh të gjithë atyre që importojnë, të gjithë atyre që vijnë? Gjendja në doganën e Durrësit do të ndryshojë brenda vitit, me çdo çmim”,u shpreh Kryeministri Rama.
Sektori i kontejnerëve për këtë vit ka përpunuar rreth 980 mijë tonë mallra. Për Kryeministrin Edi Rama “Kjo gjendje turpëruese për shtetin dhe torturuese për biznesin duhet dhe do të marrë fund me projektin e ri për doganën e Durrësit”.
Në një postim në “Facebook”, Rama e ka cilësuar këtë doganë, si godinë të rrënuar. Ai ka publikuar edhe një foto të saj, duke e krahasuar atë me një doganë të botë së tretë: “A ju besohet se kjo është dogana e Durrësit? Po, në këto dy kioska shërbehen importuesit shqiptarë e të huaj! Një godinë e rrënuar komuniste për administratën, dy kioskat që patë dhe një peshore e vetme për mijëra kontejnerë, doganë e botës së tretë! Kjo gjendje turpëruese për shtetin dhe torturuese për biznesin duhet dhe do të marrë fund me projektin tonë të ri për doganën e Durrësit”!
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





