DURRËS, 26 janar 2014 – “Zyra e Punës në Durrës është një apartament i blerë nga shteti në kat të dytë, në fund të një rrugë qorre! Shumë shpejt hapet zyra e re për punësim dhe në Durrës”, shkruan në rrjetin social “Twitter” kreu i shumicës qeverisëse Edi Rama. Pasi inspektoi doganën detare, i shoqëruar nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, Rama shkoi të dielën, më 26 janar 2014, në mesditë, në zyrën rajonale të punës. Për Ramën dhe Veliajn janë të papranueshme kushtet, në të cilat u shërbehet njerëzve.
“Në një qytet, që është qyteti i dytë më i madh për nga ekonomia dhe për nga rrugët e zhvillimit të sipërmarrjes private, na duhet me urgjencë një Zyrë Pune e denjë për njerëzit që kërkojnë punë, që të stimulojë energji pozitive dhe të stimulojë shpresa. Kjo është një katastrofë dhe kjo duhet mbyllur një orë e më parë. Ne na duhet një orë e më parë Zyra e Punës, ashtu siç duhet, aty ku e keni identifikuar, me shpejtësi të madhe, në bashkëpunim me komunitetin e biznesit”, deklaroi Rama.
Po ashtu shefi i Qeverisë Edi Rama vuri në dukje:
“Të fillojmë menjëherë të mbledhim gjithë çfarë ka informacion, kërkesa për vende të lira pune dhe t’ia vëmë në dispozicion të rinjve, t’ia vëmë në dispozicion të të papunëve, t’ia vëmë në dispozicion njerëzve që duan të punojnë. E realisht, të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë ekzistuese që janë, ndërkohë që të hapim vende të tjera pune, kudo dhe në vazhdimësi. Vendet aktuale të punës që janë të lira ,duhet të vihen në dispozicion të njerëzve. Këtu s’ka kush vjen dhe ku e gjen zyrën e punës, jo më të besojë se këtu mund të gjesh punë. Prandaj shumë shpejt hapet zyra e re për punësim dhe në Durrës”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





