DURRËS, 7 dhjetor 2014 –  “Do të zëvendësojmë 2000 e kusur mësuesit që ishin pa diplomë dhe jashtë profilit, jo më me dorën e  drejtorëve, por në bazë të këtij testi kombëtar”, kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama. I veshur sportiv, “joserioz”, shefi i qeverisë e ka marrë seriozisht reformën në arsim, teksa ka inspektuar në Durrës testimin me shkrim të mësuesve që duan të zënë një vend pune në shkollat e qarkut.

Të shtunën, më 6 dhjetor 2014, Kryeministri Edi Rama ndoqi nga afër testimin me shkrim të kandidatëve “Mësues për Shqipërinë”, në një prej qendrave, ku zhvillohej ai, në shkollën “Bajram Curri” në Durrës. Në 29 qendra në 12 qarqe të vendit, prej orës 11.00 deri në 13.00, u zhvillua testimi me shkrim, ku kandidatët kanë konkurruar për mbi 2000 vende të lira pune për mësues.

TESTIM I PËRVITSHËM

Ministrja Linditë Nikolla, e cila shoqëronte Kryeministrin Edi Rama, e informoi me ecurinë e procesit të testimit në ditën e shtunë. Kreu i dikasterit theksoi: 

“Në këtë mënyrë korrupsioni në arsim po merr përgjigjen më të mirë, duke rikthyer cilësinë në shkollë dhe autoritetin e merituar të figurës së mësuesit. Këto janë kushtet e sigurisë në 29 vendtestimet, në 12 rajonet e vendit. Është përgjigja që ne i japim, duke krijuar një sistem të shëndetshëm, korrupsionit. Korrupsionit pa kriter dhe sigurisht emërimeve politike shpesh herë në arsim, për të rikthyer cilësinë, për të rikthyer autoritetin e merituar të figurës së mësuesit dhe për të ndërtuar vlera të reja që kalojnë përmes shkollave ku edukohen evropianët e Shqipërisë evropiane.

Ky testim do të jetë i përvitshëm. Në harkun e një viti derisa të realizohet testi tjetër, kandidatët do të jenë aty, për çdo vend të ri pune që krijohet, duke pamundësuar këdo që për qëllime korruptuese apo të tjera qofshin do të ndërhyjë në sistem”.

JO THJESHT “ZËVENDËSO NJËRIN ME TJETRIN”

Duke përshëndetur zhvillimin me sukses të procesit, Kryeministri tha: “Fatkeqësisht, për vite me radhë mësues të ndershëm mbetën të zhgënjyer nga një sistem arsimor i kalbëzuar dhe se zgjidhja më vendimtare mbetet ndryshimi i sistemit. Jemi të gjithë dëshmitarë se sa shumë zhgënjime kanë pësuar në vite të tëra të gjithë ata, të cilët kanë dashur të japin kontribut në sistemin arsimor dhe sesa shumë kalbëzim ka pësuar sistemi arsimor për shkak të njerëzve që kanë hyrë pa meritë, por fal ryshfeteve, fal klaneve, presioneve politike, përkatësive partiake e kështu me radhë. E kemi thënë qysh në krye të herës, nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, është sistemi që korrupton njerëzit dhe lufta kundër korrupsionit nuk është një luftë që shkon përmes “zëvendëso njërin me tjetrin” vetëm, por është një luftë që shkon përmes ndryshimit të sistemit. Sepse duke zëvendësuar disa me disa, thjeshtë spostojmë problemin  por nuk e zgjidhim problemin.

Zbatimi i praktikave të tilla është përgjigja e merituar që i pret udhën korrupsionit dhe i hap dyert një sistemi transparent konkurrence. I japim fund një shqetësimi kronik për vite të tëra të njerëzve, të prindërve, të atyre që e meritojnë të jenë mësues dhe nuk munden dot të jenë mësues. Nga ana tjetër i japim një përgjigje shumë të qartë dhe të prerë korrupsionit, duke ndërtuar një sistem transparent konkurrence, vlerësimi sipas meritës dhe duke e bërë të pamundur që përmes rrugëve të tjera dikush të  kapërcejë tjetrin, sepse klasifikimi i këtij testimi do të jetë baza mbi të cilat  çdokush do të mund të marri një detyrë në sistemin arsimor. Kështu ne do të zëvendësojmë 2000 e kusur mësuesit që ishin pa diplomë dhe jashtë profilit, jo më me dorën e  drejtorëve, por në bazë të këtij testi kombëtar”.

FAMILJARËT

Kryeministri Rama takoi jashtë mjediseve të shkollës edhe familjarë të mësuesve që i janë nënshtruar testimit, të cilët prisnin përfundimin e testimit. Familjarët falënderuan qeverinë që për herë të parë kryhet një testim të këtij lloji.

Korrigjimi / vlerësimi i testeve do të bëhet i qendërzuar në Tiranë nga një komision mësuesish dhe ekspertësh të përzgjedhur nga MAS. Vlerësimi i testit do të jetë i sekretuar. Shpallja e rezultateve do të publikohet deri më datë 22 dhjetor.

Video, kliko: http://www.kryeministria.al/al/multimedia/video-galeri 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/