DURRËS, 12 qershor 2014 –  Edhe tatimorët në funksion të mbarëvajtjes së sezonit turistik, Drejtoria Rajonale e Tatimeve Durrës, në bashkëpunim me Shoqatën e Turizmit, organizoi më 12 qershor 2014, një takim të operatorëve të hotelerive dhe bar-restoranteve me drejtoren e përgjithshme të Tatimeve znj. Brisida Shehaj.

Ishin të pranishëm prefekti z. Rolant Xhelilaj, kryetari i Këshillit të Qarkut z. Alfred Mullaraj si dhe përfaqësues institucionesh të tjera vendore.

Në këtë takim morën pjesë rreth 45 operatorë turistikë.

Drejtorja rajonale e Tatimeve Durrës znj. Valbona Sako bëri një ekspoze të shifrave të regjistrimit dhe deklarimit për subjektet e zonës turistike dhe më pas paraqiti planin e masave për menaxhimin sa më të mirë të zonës turistike në këtë sezon si dhe për uljen e informalitetit.

Përfaqësuesi i shoqatës së operatorëve të turizmit Durrës-Kavajë, z. Ervin Bytyçi, parashtroi një sërë problematikash shqetësuese sikurse është informaliteti dhe konkurrenca e pandershme dhe shtroi nevojën e gjetjes së një formule të përbashkët për luftën kundër dukurisë negative.

Z. Bytyçi tha se është bërë shqetësues fakti i pranisë së ambulantëve përgjatë vijës bregdetare; po ashtu u shtrua nevoja e përmirësimit të metodës së kontrollit të subjekteve nga Administrata Tatimore; ka probleme që lidhen me kanalizimet dhe mjedisin, të cilat rëndojnë në performancën e aktivitetit të tyre.

Gjithashtu nga kjo shoqatë u kërkua gjetja e një rruge komunikimi me administratën tatimore për të njohur sa më mirë secila palë të drejtat dhe detyrimet përkatëse.

Në përgjigje të problematikave që u ngritën nga operatorët turistike, drejtorja e përgjithshme e Tatimeve znj. Brisida Shehaj, ndër të tjera, siguroi se lufta kundër informalitetit dhe konkurrencës së pandershme do të jenë në fokus të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe sidomos të hetimit tatimor.

Znj. Shehaj kërkoi bashkëpunimin e të gjitha subjekteve në denoncimin e rasteve, duke i siguruar për ruajtjen e anonimatit.

Kreu i Tatimeve të Shqipërisë tha se është bërë një pune e madhe në regjistrimin e subjekteve që ushtronin prej vitesh aktivitet të paregjistruar, dhe kjo punë do të vazhdojë

Nga nëntori 2013 deri në mars 2014 janë shtuar në skemën e sigurimeve 30 mijë punonjës.

Drejtorja e përgjithshme e Tatimeve tha se Qeveria po përgatit një projekt lidhur me një sistem të ri, i cili do të menaxhojë dhe kontrollojë TVSh-në nga pika doganore deri te subjekti i fundit.

Nga ana tjetër znj. Sheaj bëri të ditur se administrata tatimore do të jetë e vendosur në kontrollin për lëshimin e kuponit tatimor.

Me sistemin e ri tatimor kontrolli i subjekteve do të bëhet drejtpërdrejt nga qendra me grupe të veçanta task force.

Po ashtu, u tha se së shpejti do të nënshkruhet një marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Brendshme, Administratave Tatimore dhe Doganore, Prokurorisë për luftën kundër evazionit fiskal.

Operatorët mirëpritën deklarimin se çdo ambulant që ushtron aktivitet në vijën bregdetare, do konfiskohet.

Prefekti Xhelilaj dhe Kryetari i Këshillit të Qarkut Mullaraj premtuan ndihmën e tyre në mbarëvajtjen e këtij sezoni turistik.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/