Durrës, 6 gusht 2014 – Drejtoria e policisë së Durrësit njofton se një e moshuar 75 vjeçare ka humbur jetën në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ndërsa po kthehej nga pushimet e kaluara në Kroaci.
Mësohet se 75 vjeçarja H.B., nga Vlora, e ka ndjerë veten keq në furgon, ndërsa ndodhej në afërsi të Fushë-Krujës.
Gruaja është dërguar me urgjencë në spitalin e Fushë Krujës, por edhe pas ndërhyrjes së mjekëve nuk ka qenë e mundur t’i shpëtohej jeta të moshuarës.
Grupi hetimor ka nisur hetimet për zbardhjen e këtij rasti, megjithëse nga veprimet paraprake dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrore.
Duket se rruga e gjatë dhe temperaturat e larta të këtyre ditëve kanë rënduar gjendjen shëndetësore të 75 vjeçares.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





