“Kuarteti për fundin e kohëve” ka shënuar edhe koncertin e fundit të edicionit të tetë të Bienales “Netët e muzikës klasike” në Durrës. Kjo mbrëmje iu kushtua muzikës moderne.
Në sallën e errësuar të Muzeut Arkeologjik katër instrumentistë kanë rikthyer tingujt e Olivier Messiaen, i cili e kompozoi dhe luajti atë si i internuar më 15 janar 1941. Vepra iu prezantua 400 bashkëvuajtësve, në temperaturën -20 gradë, në një nga kampet e përqendrimit nazist pranë Drezdenit.
Ideatori i Bienales Florian Vlashi, tha për artdashësit, se kuarteti për të cilin më pas Messiaen ka lënë edhe shënimet e tij, konsiderohet si një nga kryeveprat e historisë së muzikës e njëkohësisht edhe si një nga më të vështirat.
Të ardhur nga katër vende të ndryshme, violinisti Florian Vlashi shqiptar, Florent Charpentier (klarinetë) nga Franca, Ruslana Prokopenko (violonçel) nga Ukraina, Daniel del Pino (piano) nga Spanja, e të ndihmuar nga gazetari Gëzim Kabashi që lexoi tekstet, për më shumë se një orë krijuan një atmosferë të veçante për një “Mesazh Biblik”, siç emërtohej kjo mbrëmje.
Dëgjuesit e shumtë, mes të cilëve edhe shumë të huaj me banim në Durrës, ndoqën interpretimin magjepsës të mjeshtrave instrumentistë, anëtarë të Orkestrës sinfonike të Galicisë (Spanjë) dhe të Ansamblit “Siglo XX”. Qetësisë absolute që mbizotëroi në Muze ia zunë vendin duartrokitjet e zgjatura, të cilat më parë ishin rezervuar edhe për pjesën e Arvo Part për violinë e piano “Fratres”, me interpretë Florian Vlashi dhe Daniel del Pino.
Gjatë këtij edicioni, Bienalja “Netët e muzikës klasike” pati disa stacione të veçanta, si “Në kërkim të muzikës së humbur” kushtuar kompozitorëve të persekutuar; prezantimi i Orkestrës Rinore; konkursi i Yjeve të rinj, fituesja e të cilit do të jetë soliste e një koncerti në Spanjë; Duo Pianistike e vëllezërve Gaqi; dy koncerte në spital dhe në Institutin e minorenëve në Kavajë; koncerti i Hajdenit “Shtatë fjalët e fundit të Krishtit në kryq”, si dhe leksionin mbi krijimin e violinës, liuterinë. Edicioni i parë i Bienales është organizuar në Durrës në vitin 2003.
*Fotot janë realizuar nga David Sherifi