DURRËS, 25 nëntor 2013 – Një “indonezian” Shkodre mendonte t’ua hidhte bluve bregdetare duke fshehur në një bombol gazi rreth 52 kg “lazarat” (kështu po përdoret në zhargon kohët e fundit emri i çfarëdolloj narkotiku). Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë njofton se në orën 3.00 të mëngjesit të së hënës, 25 nëntor 2013, u arrestua Aidit P., 27 vjeç, me banim në Shkodër. Është interesant emri i të prangosurit, pasi ai mban llagapin e ish-udhëheqësit të komunistëve indonezianë, ithtar i Enver Hoxhës, Dipa Nusantara Aidit (1923-1965), i cili kishte 21 vjet që kishte vdekur kur ka lindur shkodrani. Forcat ligj-zbatuese thonë se rreth orës 20.00 të së dielës, 24 nëntor 2013, kufitarët në terminalin e trageteve të portit më të madh të Shqipërisë e kanë kapur me presh në duar. Shkodrani kishte në pronësi një Audi A6 (shih foton), me targa AA 903 FJ. Gjatë kontrollit rutinë në veturë iu gjetën 51.95 kg kanabis. Drogën e kishte fshehur në brendësi të një bombole gazi që furnizonte me karburant (gaz) automjetin (shih foton), në bagazh. Drejtuesi i mjetit po priste që bashkë me makinën të hipte në tragetin “Francesca” të linjës Durrës-Bari për të udhëtuar drejt Italisë.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/