DURRËS, 21 nëntor 2013 – Kishte bërë sherr me policët para dy vjetësh dhe e kapin kufitarët te terminali i trageteve të portit të Durrësit teksa i kërkuari nga drejtësia po përpiqej t’ia mbathte në Itali. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrësit njofton se më 20 nëntor 2013, rreth orës 22:00, nga shërbimet e policisë kufitare Durrës në vijim të procedurave të përpunimit në dalje të shtetasve u bë kapja e të kërkuarit Dashamir Ç., 34 vjeç, me banim në Durrës. 34-vjeçari po synonte të kalonte Adriatikun në Apenine me traget. Ishte shpallur në kërkim, pasi gjykata e rrethit gjyqësor Durrës, me vendim të datës 24 maj 2011 e ka dënuar me 6 muaj burgim, vendim i lënë në fuqi më datë 26 shtator 2013 nga Apeli Durres për veprat penale "kundërshtim i punonjësit të policisë" dhe "fyerje për shkak të detyrës".

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/