DURRËS, 17 gusht 2014 – Paraditen e së shtunës, më 16 gusht 2014, efektivë të personelit të policisë kufitare dhe migracionit (PKM) Durrës zhvilluan një stërvitje mbi shpëtimin e njerëzve në det, njofton në një fotoreportazh gazetari i marinës Shefqet Kërcelli.

Komisar Viktor Agolli shpjegon se qëllimi i kësaj stërvitjeje ishte testimi i aftësive operacionale dhe gatishmërisë së personelit e mjeteve në dispozicion për përballimin e situatave të ndryshme emergjente në det.

Duke pasur parasysh fluksin që shkakton periudha e plazhit janë marrë masa për evitimin e çdo situate fatkeqësish apo shkeljeje të rregullave në zonën e përgjegjësisë, nga kepi i  Rodonit deri te derdhja e Semanit.

Janë vendosur pika kontrolli në tokë dhe det, të cilat monitorohen nga PKM-ja.

Do të ketë masa të rrepta edhe ndaj “aventurierëve” me motorë deti, që shkelin kufijtë e lejuar për larje.

Bashkëpunohet ngushtësisht me komunitetin, i cili informon për çdo rast në numrat e telefonave të vendosur për këtë qëllim si dhe me Rojën Bregdetare, QNOD-in (Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare), Antikontrabandën Detare, kapitaneritë e Durrësit dhe Shëngjinit dhe subjekte që kanë interesa në det.

Rezultat i këtyre masave dhe gatishmërisë së policisë e strukturave të tjera shtetërore është fakti se gjatë kësaj periudhe në zonën e Durrësit e më gjerë ka pasur raste sporadike të fatkeqësive në det.

Dhe stërvitja që u krye të shtunën, më 16 gusht 2014, i shërben më së miri përgatitjes së personelit për përballimin e fatkeqësive në det, thotë kryeinspektori Gëzim Myhypaj, i cituar nga Shefqet Kërcelli.

Zbatimi i skenarit të saj filloi mbas një telefonate të ardhur nga një qytetar se rreth 600 m nga plazhi i vjetër i Durrësit, një person kërkon ndihmë në det.

Kaq mjafton që dy skafet e PKM-së të bregëzuara në kalatën 0 të portit të Durrësit të nisen menjëherë në vendngjarje.

Kryeinspektorët Gëzim Myhypaj, Artur Gjeci, Ali Dervishi, Ylli Domi dhe Dritan Shehi, brenda pak minutash, përshkruajnë distancën prej rreth 1.5 milje dhe pasi i hedhin mjetin e shpëtimit e nxjerrin nga uji personin e rrezikuar.

Më pas ata me shpejtësi e nxjerrin në breg të dëmtuarin, ku ambulanca e spitalit rajonal Durrës e çon në destinacion.

Për rritjen e sigurisë në det dhe parandalimin e çdo fatkeqësie çdo ditë nxirret një skaf për patrullim në zonën që mbulon, ndërsa të shtunave dhe të dielave 2 mjete, shkruan Shefqet Kërcelli.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/