Durrës, 26 maj 2014 – Dy hajdutë në pranga, 2 automjete të vjedhura, dy pajisje navigimi të grabitura. Është ky bilanci i fundjavës në qytetin e Durrësit përsa i përket vjedhjes së automjeteve.

Megjithëse dy hajdutë që po tentonin të vidhnin një automjet kanë rënë në pranga, vjedhjet e automjeteve në qytetin e Durrësit nuk po kanë të ndalur.

Burime policore bëjnë të ditur se kanë ndaluar në flagrancë 30 vjeçarin Blerim Mani dhe 20 vjeçarin Daniel Marku, të dy banues në Durrës, pasi në orët e para të mëngjesit të premtes kanë tentuar të vjedhin autoveturën e markës Volsvagen me targa BE 686 KG në pronësi të shtetasit B.B., 24 vjeç.

Dy shtetasit në fjalë ishin 'specialistë' në vjedhjen e automjeteve, pasi në bashkëpunim me njeri-tjetrin ata dyshohet se janë autorët e vjedhjes së datës 21.05.2014 të telefonit Samsung në automjetin me targa AA225 JB në pronësi të shtetasit S.K., 28 vjeç, banues në lagjen 13 Durrës.

Po ndërsa Mani dhe Marku kanë përfunduar pas hekurave, vjedhjet e automjeteve në qytetin bregdetar kanë vijuar gjatë fundjavës. Një 35 vjeçar nga Shijaku ka bërë denoncim në polici, sepse pasditen e së shtunës i kanë vjedhur në lagjen Nr.3 Durrës, mjetin tip Benz me targa AA259FU.

Ndërkohë të njëjtin fat të keq ka pasur edhe një 46 vjeçar nga Durrësi, të cilit hajdutët i kanë vjedhur furgonin tip Benz me targa DR3784 B, në lagjen nr.6 të qytetit. Në të dy rastet, policia nuk ka mundur ende të bjerë në gjurmët e hajdutëve.

Po gjatë fundjavës, në zonën e plazhit dhe përkatësisht në sektorin “Hekurudha” dhe “Iliria” dy shtetas kanë denoncuar në polici faktin se u janë vjedhur në automjetet respektive pajisjet e navigimit. Të dy automjetet ishin të tipit Benz dhe hajdutët kanë mundur ta realizojnë vjedhjen duke thyer xhamin e makinës. Një prej shtetasve të dëmtuar ishte një pushues kosovar, që së bashku me familjen kishte ardhur të kalonte fundjavën pranë bregdetit durrsak.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/