Forcim i bashkëpunimit mes Forcës Detare shqiptare dhe aleatëve francezë e konsideroi kundëradmirali Adnand Agastra vizitën disa ditore që fregata franceze “La Fayette (FLF) Aconit” po zhvillon në portin e Durrësit.

Gjatë konferencës për shtyp me ambasadoren franceze Elisabeth Barsacq, kundëradmirali Agastra theksoi se kjo vizitë do të ndihmojë për rritjen e shkallës së trajnimeve të efektivëve të forcës sonë detare në kuadrin e angazhimit në  NATO.

Ndërsa diplomatja e huaj përjashtoi mundësinë që vizita e fregatës së marinës kombëtare franceze ka lidhje me luftën Ukrainë-Rusi, pasi ajo ishte programuar shumë kohë më parë.

Fregata Aconit ka filluar shërbim aktiv në vitin 1999, dhe është një nga pesë fregatat e tipit La Fayette të Forcës së Veprimit Detar. Si një anije luftarake e fshehtë dhe polivalente, Aconit mund të operojë veçanërisht në misione të mbikqyrjes detare dhe zbulimit.

M.B.