· Ministrja Mimi Kodheli “nxjerr” sekretin ushtarak në FB
DURRËS, 26 korrik 2014 – Nuk e ka mbajtur sekret ushtarak, znj. Mimi Kodheli, në rolin e një gazetareje, ka zbuluar në faqen e saj në rrjetin social Facebook se të shtunën, paradite, ka mbledhur kupolën e Ministrisë së Mbrojtjes në qytetin bregdetar jo për plazh, por për punën në 300-ditshin e dytë në krye të dikasterit që drejton.
Në statusin e saj në FB Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, znj. Mimi Kodheli raporton se “sot [e shtunë, 26 korrik 2014 – “Dyrrah”-u] është një ditë e bukur për të shijuar motin e mirë dhe stinën aktuale”.
Me gjithë “burokratizimin” e gjuhës “me stinën aktuale”, kur duhej të shkruante “me stinën e verës”, ajo njofton se gjithsesi, “ne në Ministrinë e Mbrojtjes vendosëm që të mblidhemi të gjithë dhe të diskutojmë mbi të gjithë punën dhe drejtimin e Ministrisë dhe Shtabit të Përgjithshëm”.
Me një frazë disi të paqartë se “morali mbi të cilin duhet të jetë e organizuar puna jonë nga pjesa tjetër duhet të na udhëheqë”, ajo sqaron se “ misioni ynë është tjetër ndaj na duhet shumë punë”.
Ushtarakëve të lartë do t’u prishet dita e pushimit, pasi, sikurse thotë eprorja e tyre, “sot na pret një ditë e gjatë ku do të diskutojmë 300-ditshin e dytë”, duke premtuar se kjo periudhë pasuese “padyshim më të mirë nga ai që sapo mbyllëm”.
Mbetet të vëmë në dukje se formulimi duhet të jetë bërë paraprakisht në uord (word), pasi nuk mungojnë “ë”-të, gjë e rrallë në këtë lloj komunikimi dhe që duhet përshëndetur.
Vetëm nuk dihet nëse lajmin e ka diktuar dhe e ka shkruar ndonjë nga zyra e shtypit që e njeh shumë mirë drejtshkrimin, apo znj. Kodheli ka pasur ngenë në ndonjë pushim për të hedhur në FB kronikën nga uordi me kopi-pejst (copy-paste).
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





