DURRËS, 8 maj 2013 – Prangosja e Skënder Konit, drejtor i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) për qarkun e Durrësit, njëkohësisht kreu i partisë demokristiane të Nard Nokës, që është edhe zëvendësministër i Brendshëm, ka shkaktuar dyshime në qarqet e mirinformuara politike të qytetit bregdetar.
Së pari, arrestimi i tij është kryer thuajse në fshehtësi dhe është bërë i njohur pas dy ditësh në komunikatën e policisë.
Me sa duket, për t’i paraprirë ndonjë reagimi të mundshëm të zëvendësministrit të Brendshëm, Nard Ndoka, uniformat blu të Durrësit, në varësi të ministrit Flamur Noka, thanë se më 6 maj 2013 në orën 21.00, u krye ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës të datës 5 maj 2013, ku ishte përcaktuar masa e sigurimit “arrest në burg” për shtetasin Skënder Koni, 65 vjeç, banues në Durrës.
Pra, Koni u arrestua me vendim gjykate, i akuzuar për veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që kryejnë funksione publike” në bashkëpunim.
Veçse ka një paqartësi në formulimin e njoftimit për shtyp: “materialet në ngarkim iu përcollën Prokurorisë për ndjekje”.
Në gjykatë propozimin për arrest e bën prokuroria, prandaj nuk ka pse thuhet që pas arrestimit materialet iu përcollën prokurorisë.
Nuk dihet nëse ka gisht në këtë histori vëllai i Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, që është prokuror në Durrës.
Në Durrës të gjithë e njohin Skënder Konin si person me mjaft ndikim.
Ai është kuadër i vjetër që ka shërbyer në disa sisteme dhe që gëzon mbështetje të gjerë në Durrës dhe rrethinat e këtij qyteti, kjo edhe për shkak të lidhjeve të shumta farefisnore që ka pasur.
Ka qenë kjo arsyeja që ai mori drejtimin e Partisë Demokristiane në qarkun e Durrësit dhe ka qenë tepër rezultativ, duke marrë shumë vota në zgjedhjet e fundit lokale dhe që kaloi djathtas pas konfliktit të hapur prej tij për vjedhje votash nga aleatët e vet.
Në ato zgjedhje demokristianët ishin me të majtët, ndërsa Koni kaloi djathtas, duke ndikuar edhe në çarjen e gardhit të të majtëve në Këshillin e Qarkut, të cilin mendonin ta arrinin me një pjesë të të zgjedhurve të grupimit çam.
Në votat e mbledhura nga Koni ka pasur shume vota të majta që kanë kaluar djathtas, por edhe të personave me fe myslimane, pasi ai është njohur si menaxher i aftë në përthithjen e njerëzve me bindje të ndryshme.
Duke pasur parasysh bekgraundin e këtij personi dhe lidhjet e fuqishme që kishte krijuar me të djathtën, shumë vetë kanë pyetur pasi kanë dëgjuar për arrestimin e tij se përse i është atribuar ky krim tashti?
Në njoftimin e saj policia nuk ka thënë as se sa ishte shuma e lekëve për të cilën ai akuzohet. Ka gjasa që kjo shumë të jetë qesharake.
Për të arrestuar një kuadër 65-vjeçar në detyrë, të cilin një herë e kishin nxjerrë në pension, por me ndërrimin e “karriges” politike e sollën në drejtues të INUK-ut për ta çuar më pas nga karrigia e anëtarit të këshillit bashkiak në qelitë e paraburgimit. Rrezikshmëria e tij shoqërore ka qenë thuajse zero dhe mund ta linin edhe në arrest banese.
Po ka edhe hipoteza se me arrestimin e tij kanë dashur që t’i tregojnë vendin Nard Ndokës.
Po në këtë rast PD-ja, duke i siguruar emrin në listë Ndokës, kërkon që të marrë votat e tij në Durrës, kjo duke eliminuar në prag të zgjedhjeve kreun e demokristianëve.
Po edhe këtu situata duket se nuk është parashikuar si duhet, pasi votat e Konit do të kalojnë majtas edhe në shenjë hakmarrjeje, pasi ato ai i kishte mbledhur kryesisht në elektoratin e majtë dhe arrestimi i tij do t’i çojë votat përsëri në rrjedhën, ku ato pluskonin dhe që ishin devijuar me parë nga Koni.
Një gjasë tjetër mund të jetë se Ndoka kërkohet që të sfidohet brenda në “kështjellën” e tij, në Ministrinë e Brendshme, nga ndonjë grupim i caktuar që ai mund t’u ketë shkelur në kallo.
Sidoqoftë shumëkush në Durrës shpreh mendimin se pensionisti i rikthyer në detyrë 65-vjeçari, Skënder Koni, ka rënë viktimë e luftës politike brenda rrymave të PD-së, shumë prej të cilëve të mbetur të pakënaqur që nuk janë futur në listat zgjedhore të saj, kërkojnë tashmë edhe të eliminojnë ose të minojnë një fitore hipotetike të PD-së në Durrës.
Ndërkohë që vetë mund të kenë bërë gati valixhet për të hipur në “kamionë” të tjerë të politikës.
/th. m. & b.m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





