· Zyra Austriake për Zhvillim në Shqipëri ka financuar 200 000 euro dhe po aq kompania për zbatimin e programit arsimor të orientuar nga praktika në industrinë e veshjeve
· Praktikantët, mes të cilëve edhe djem, mësojnë të gjitha proceset nga përdorimi i makinerive deri tek qepja e rrobave
· "Naber Konfeksion": Kemi vende të lira pune për 400-500 veta te të dyja fabrikat, por mungon profesionalizmi
· Elementi i partneritetit “ndërmarrje evropiane-ndërmarrje shqiptare” ka lehtësuar mënyrën se si realizohet procesi i punës dhe ka sjellë disa inovacione të vogla teknike, për të bëre procesin më efektiv dhe më produktiv
Sikurse ka njoftuar portali DurresLajm [http://durreslajm.com/sociale/rrobaqep%C3%ABsia-%E2%80%9Cnaber%E2%80%9D-ngre-shkoll%C3%ABn-profesionale-shembull-i-pun%C3%ABsimit-t%C3%AB-grave-n%C3%AB-durr%C3%ABs], Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Milva Ekonomi, së bashku me kreun e Zyrës Austriake për Zhvillim në Shqipëri Hajnc Habertojer (Heinz Habertheuer), vizituan në Xhafzotaj të Shijakut kompaninë e prodhimit të veshjeve për tregun gjerman "Naber Konfeksion", krijuar në vitin 2004.
Zyra Austriake për Zhvillim në Shqipëri ka financuar 200 000 euro dhe po aq kompania për zbatimin e programit arsimor të orientuar nga praktika në industrinë e veshjeve, tha dikasteri i Ekonomit. Metoda praktike ndjek modelin e vendeve gjermanishtfolëse. Në këtë kompani, ku janë punësuar 400 persona, në një mjedis të veçantë, praktikantët, mes të cilëve edhe djem, mësojnë të gjitha proceset nga përdorimi i makinerive deri tek qepja e rrobave.
Nazmi Grori, administrator i kësaj kompanie tregon:
“Trajnimi zgjat 5 muaj, për të cilat praktikanti paguhet çdo muaj 11 mijë lekë (81 euro) nga Fondi i Nxitjes së Punësimit të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, përfshi bonuset që jep vetë kompania, si dhe sigurimet shoqërore”. DurresLajm, më 10 tetor 2014, ka botuar lajmin “Gjermano-shijakasit ia dinë “kimetin” programit të punësimit” [http://durreslajm.com/ekonomia/gjermano-shijakasit-ia-din%C3%AB-%E2%80%9Ckimetin%E2%80%9D-programit-t%C3%AB-pun%C3%ABsimit].
HISTORI SUKSESI
Pasi pa nga afër mjediset e punës së kësaj kompanie, ministrja Ekonomi tha:
“Për ne që punojmë në qeverinë shqiptare dhe kemi për qëllim të nxisim dhe të zhvillojmë më tej ekonominë e vendit, ky është një shembull fantastik suksesi. Edhe pse kompania “Naber” nuk është në vitin e saj të parë të aktivitetit dhe nuk jemi këtu për të përuruar aktivitetin, duam të evidentojmë një histori suksesi që shton vlerë në mallrat e eksportuara në tregun gjerman. Kjo kompani, falë këtij programi të partneritetit, ka mundur të gjejë disa modele bashkëpunimi dhe operacionale që të jenë më produktive për këtë lloj industrie.
PARTNERITET “NDËRMARRJE EVROPIANE-NDËRMARRJE SHQIPTARE”
Fakti që brenda ambienteve të kompanisë ka një shkollë të formimit profesional, gjithashtu edhe mbështetja e dhënë nga kjo kompani për ngritjen e një baze prodhuese në shkollën profesionale të qytetit të Durrësit, rrit mundësinë që më shumë të rinj e të reja të bëhen gati për të hyrë në aktivitetet e prodhimit të industrisë fason. Edhe 6 filialet bija që ka kjo kompani në disa qytete si Durrës, Krujë, Tiranë po ndjekin të njëjtin model me synimin si ta bëjnë më mirë aftësimin e punonjësve. Nga ana tjetër, elementi i partneritetit “ndërmarrje evropiane-ndërmarrje shqiptare” ka lehtësuar mënyrën se si realizohet procesi i punës dhe ka sjellë disa inovacione të vogla teknike, për të bëre procesin më efektiv dhe më produktiv. Pra, është një shembull shumë i mirë dhe për t’u marrë në konsideratë.
FORMË AFTËSIMI DHE NË DEGË TË TJERA VEÇ FASONERISË
Faktor tjetër i rëndësishëm është se ky model pilot që u krijua këtu dhe tani po merr formën e një projekti kombëtar, i cili do të shtrihet dhe në vende të tjera të Shqipërisë ku ka shkolla të mesme tekstile dhe konfeksione, është një shembull dhe për t’u shtuar në degë të tjera të industrisë së vendit. Ky model shkollimi profesional do të shtrihet edhe në sektorë të tjerë. Po planifikohet për të shkuar edhe në shkollën e hotelerisë, me këtë model partneriteti dhe formimi profesional, prandaj për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ky është një shembull suksesi, i cili merr përsipër ta promovojë këtë formë aftësimi dhe në degë të tjera veç fasonerisë, turizmit, si për shembull në degë të manifakturës, por në bashkëpunim edhe me Dhomat e Tregtisë e Industrisë. Ne jemi këtu për të promovuar një element tjetër shumë të rëndësishëm që lidhet me mënyrën se si operon një biznes i këtij lloji “kujdesi ndaj punonjësve” për mënyrën e marrjes në punë dhe kryerjen e pagesave në kohë. Ndaj kompania “Naber” është një shembull i mirë i formalitetit të të punësuarve dhe për këtë arsye është një kompani që duhet marrë shembull”.
BASHKËPUNIM MIDIS BIZNESIT DHE SHKOLLAVE PROFESIONALE
Kreu i Zyrës Austriake për zhvillim në Shqipëri Hajnc Habertojer dha detajet se çfarë synohet nëpërmjet këtij programi.
“Kooperacioni Austriak mbështet partneritetin e biznesit të krijuar mes kompanive shqiptare dhe kompanive të regjistruara në Bashkimin Evropian. Ky partneritet, vetëm si i tillë, përfiton mbështetje për programe transferimi të njohurive, të futjes së teknologjive të reja, inovacionit, dhe gjithashtu të ndihmojë në përmirësimin e zinxhirit të vlerës. Këtu jemi në një partneritet biznesi të krijuar nga kompania “Naber”, që u përket konfeksioneve dhe tekstileve. Me anë të këtij partneriteti ne mbështesim trajnimin në bazë të punës së punonjësve. Këtë e bëjmë nëpërmjet bashkëpunimit të biznesit dhe shkollave profesionale. Ideja është që të rritet kualifikimi i punonjësve, standardet e punës, për përfitimet e kompanisë, për kualifikimin e punonjësve dhe për rritjen e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë”.
JA EFEKTET E PROJEKTIT PILOT
Nazmi Grori, sipërmarrës “Naber Konfeksion” shpjegoi:
“Është një bashkëpunim i vlefshëm për kompaninë “Naber” dhe për gjithë fasonerinë në Shqipëri. Para një viti u fillua një projekt pilot me shkollat e mesme profesionale, dhe ky projekt pilot na vlejti shumë, sepse gjatë një viti kemi parë efektet e këtij projekti. Kanë filluar të na vijnë studentë dhe ne, nëpërmjet kompanisë “Naber”, arritëm të krijonim kabinetet e shkollave, arritëm të trajnonim nxënësit, arritëm që nxënësit të zhvillonin praktikën në ndërmarrjet tona dhe ky projekt kishte efektin e vet, sepse ne arritëm të punësojmë njerëz dhe vazhdojmë akoma ta bëjmë një gjë të tillë. Duke ditur që tregu shqiptar ka nevojë, sidomos për fasonët, dua t’ju them se qeveria shqiptare na ka ndihmuar po duhet t’i kthejë më shumë sytë te fasoni, sepse është një sektor që punëson në një masë të madhe gratë. Në qoftë se një hidrocentral ka një vlerë gjigante në investim në fillim, në hidrocentral punojnë vetëm 10-15 veta, kurse në fasone punojnë me qindra e mijëra persona. Ndaj ne jemi të gatshëm të punësojmë akoma më shumë, kemi vende të lira pune për 400-500 veta te të dyja fabrikat, por mungon profesionalizmi. Njerëz të kualifikuar është e vështirë të gjesh, por falë këtyre projekteve njerëzit po kualifikohen dhe po trajnohen”.





