DURRËS, 12 qershor 2015 –  Në drejtorinë rajonale të formimit profesional publik Durrës do të bëjnë kurse falas edhe të ndëshkuarit me dënime alternative. Të premten, më 12 qershor 2015, drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit (SHKP) Genc Kojdheli dhe drejtori i Përgjithshëm të Shërbimit të Provës Ilir Qafa nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e formimit profesional dhe përfshirjen në skemat e punësimit për të ndëshkuarit me dënime alternative, njoftoi SHKP-ja. Sipas Kojdhelit, Shërbimi i Provës nevojitet për të filtruar dëshirën e të dënuarve nëse duan të ndjekin një kurs të caktuar dhe të përfshihen në një program të nxitjes së punësimit. Shumica e “shënjestrave” janë në Tiranë dhe në Durrës, ku në fakt ndodhen dhe 4 qendra të formimit profesional publik, më të mëdhatë në Shqipëri, të cilat mbulojnë një numër shumë të madh kursantësh. Grupi i synuar për zbatimin e kësaj marrëveshjeje janë të rinjtë në moshë pune, personat mbi 45 vjeç, kryefamiljarët, nënat me shumë fëmijë etj. Fillimisht, do të zbatohet dhe pilotohet për zonat që paraqiten me përparësi nga Shërbimi i Provës si Tiranë, Korçë, Durrës, Shkodër etj.

 

 

 

 

 

/red. soc. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/