· Investigim i “Dyrrah”-ut/ Dritë-hije mbi një koncesion 35-vjeçar (Evropa zbaton një afat 20-25 vjeçar) në gusht 2012 nga qeveria në ikje “me propozim të pa-kërkuar”, duke ia lënë në dorë ministrit Sokol Olldashi, aktualisht konkurrues për vendin e kryetarit të PDSH
DURRËS, 16 korrik 2013 –Dritë-hije mbi një koncesion 35-vjeçar (Evropa zbaton një afat 20-25 vjeçar) që qeveria në ikje u ka dhënë gjermanëve për terminalin lindor “me propozim të pa-kërkuar” dhe kush do të bëjë thellimin e kanalit hyrës të portit të Durrësit, kompania e huaj shteti shqiptar.
Portali “World Maritime News” (shih faksimilen), si dhe medie të tjera botërore të specializuara në ekonominë e transportit detar, i kanë kushtuar rëndësi dhe kanë informuar gjerësisht më 15 korrik 2013 mbi marrjen në dorëzim të terminalit lindor të Portit të Durrësit nga shoqëria koncesionare EMS Albanian Port Operator shpk.
Me këtë rast, agjencia e lajmeve “Dyrrah”, pasi botoi më 15 korrik 2013 njoftimin e APD-së, po boton raportin e 15 korrikut të portalit “World Maritime News” me titull “EMS Albanian Port Operator Starts Active Service” (Shoqëria EMS Albanian Port Operator nis shërbim aktiv).
Ndërkaq tërheq vëmendjen titulli i një portali tjetër të rëndësishëm, sikurse është “Dredging Today” (shih faksimilen), që evidenton në titull faktin se do të bëhet thellim i portit, duke aluduar se do ta realizojë EMS APO-ja: “Durres Port Development: Dredging is Major Factor for Success (Albania)” – Zhvillimi i portit të Durrësit: Gërmimi / thellimi është faktor madhor për sukses (Shqipëri).
Por deklarimet e drejtorit gjerman dëshmojnë se thellimin nuk do ta bëjnë “teutonët”, por ata kanë marrë sigurime nga politikanë dhe zyrtarë të lartë shqiptarë se këta do ta bëjë qeveria e Tiranës (që është në ikje!): “Një nga faktorët madhorë suksesit është thellimi i kanalit të hyrjes në port deri në 11 metra. Kjo do të lejojë bregëzimin e anijeve me tonazh deri 55 mijë tonë në terminalin e EMS APO-së. Z. Myler tha se ai është i bindur që autoritetet shqiptare do të fillojnë së shpejti punimet e nevojshme paraprake për tenderin e gërmimit… Politikanë dhe zyrtarë të lartë të administratës e kanë bërë shumë të qartë se janë të gatshëm shfrytëzojnë këtë shans që do t’i sjellë përfitime të mëdha Shqipërisë”.
Po ashtu në lajmin e zgjeruar të “World Maritime News” flitet se “EMS APO, filial i kompanisë logjistike gjermane EMS & Trading GmbH, Leer, kishte fituar tenderin këtë vit” [domethënë në vitin 2013], gjë që nuk është e vërtetë.
Jo më kot në komunikatën e vetë Autoriteti Portual Durrës është kujdesur të sqarojë se “kontrata e koncesionit e datës 6 maj 2013 “Për menaxhimin dhe Operimin e Terminalit Lindor në Portin e Durrësit” është lidhur ndërmjet MPPT dhe operatorit “EMS Shipping and Trading GMBH”, sipas procedurës së koncesionit të ndjekur nga kjo ministri në rolin e autoritetit kontraktues, dhe në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 493 datë 1 gusht 2012, “Për përcaktimin e Autoritetit Kontraktues, “Për dhënien me koncesion të menaxhimit, operimit dhe mirëmbajtjes së Terminalit Lindor në Portin e Durrësit dhe miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese që i jepet shoqërisë “EMS Shipping and Trading GmbH” si dhe Master Planit të Zhvillimit të Portit të Durrësit” (shih “Dyrrah” më 15 korrik 2013).
“Dyrrah”-u boton edhe tekstin e Vendimit nr. 493, datë 1 gusht 2012, ku në pikën 3 flitet për “procedurën përzgjedhëse konkurruese (propozim i pa-kërkuar), që i jepet shoqërisë “EMS Shipping and Trading Gmbh”, Gjermani” (shih faksimilen e VKM-së).
Del se Qeveria Berisha, me “propozim të pa-kërkuar” të gjermanëve dhe jo me tender, më 1 gusht 2012 (jo në vitin 2013) “me propozimin e Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit” vendosi “1. Autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore për dhënien me koncesion të menaxhimit, operimit dhe mirëmbajtjes së terminalit lindor në Portin e Durrësit, është Ministria e Punëve Publike dhe Transportit. 2. Koncesioni do të jetë i formës BOT (ndërtim-shfrytëzim-transferim në pronësi të shtetit)”.
Pra, investimet dhe për thellimin duhet t’i bëjë kompania gjermane.
Këtë ka thënë z. Myler në një komunikatë të EMS-së të 14 majit 2013 (shih faksimilen me pjesën e nënvizuar) të botuar më 16 maj 2013 nga “Dyrrah”-u, pas nënshkrimit të kontratës:
“Në vitet e ardhshme EMS-ja do të investojë disa miliona euro në infrastrukturën dhe ndërtimin e Terminalit Lindor, për ta shndërruar në një terminal modern dhe me efecient nga pikëpamja e kostos. Një nga projektet kryesore është ai i thellimit të kanalit të lundrimit 11 metra për të përpunuar kështu anije me tonazh deri në 55 mijë tonë”.
Lajmi i “World Maritime News”
Sot [më 15 korrik 2013], EMS Albanian Port Operator Shpk filloi zyrtarisht operacionet në terminalin lindor në portin e Durrësit. EMS APO, filial i kompanisë logjistike gjermane EMS & Trading GmbH, Leer, kishte fituar tenderin këtë vit. Kontrata u nënshkrua në muajin maj dhe e ka maturim prej 35 vjetësh.
“Një ditë e rëndësishme për ne”, tha drejtori i përgjithshëm i EMS APO Manfred Myler (Müller). “Është bërë shumë në këtë periudhë të shkurtër kohore midis nënshkrimit të kontratës dhe datës së fillimit. Gjatë muajve në vazhdim do të punojmë me Autoritetin Portual Durrës për të arritur objektivin tonë të përbashkët në përmirësimin e objekteve të terminalit lindor”.
Drejtor i EMS APO për Durrësin Jens-Uve (Uwe) Shtrëber (Ströber) tha: “Po fillojmë një epokë të re si për portin e Durrësit ashtu dhe për EMS-Fehn-Group-in. Me investimet tona në terminalin lindor, shfaqim besimin që kemi te porti i Durrësit. Ai është tashmë një nga portet më të rëndësishme në Adriatik dhe rëndësia e tij do të rritet më tej me zhvillimin ekonomik në Ballkan. Së bashku me kompaninë tonë motër German Albanian Logistics Agency këtu në Durrës, jemi në gjendje të ofrojmë shërbim të plotë logjistik”.
EMS APOfilloi punë në mëngjesin e 15 korrikut në orën 07:00 me personel prej 47 vetash.
“Jemi veçanërisht të kënaqur se klienti ynë i parë sot është Xhemal Klosi. Ai është një partner i vlefshëm biznesi i EMS për një kohë të gjatë ", tha zoti Shtrëber.
Një nga faktorët madhorë suksesit është thellimi i kanalit të hyrjes në port deri në 11 metra.
Kjo do të lejojë bregëzimin e anijeve me tonazh deri 55 mijë tonë në terminalin e EMS APO-së.
Z. Myler tha se ai është i bindur që autoritetet shqiptare do të fillojnë së shpejti punimet e nevojshme paraprake për tenderin e gërmimit: “Shqipëria është e pasur në metale dhe minerale metalike, për të cilat ka shumë kërkesa. Nëse porti merr mjetet adekuate, jam i sigurt se eksportet do të rriten ndjeshëm”, tha zoti Myler.
“Politikanë dhe zyrtarë të lartë të administratës e kanë bërë shumë të qartë se janë të gatshëm shfrytëzojnë këtë shans që do t’i sjellë përfitime të mëdha Shqipërisë”.
Terminali i EMS APO-së është shfrytëzuar kryesisht për transport detar dhe magazinim mallrash rinfuzo si minerale, qymyr, hekur, skrap, çimento dhe vaj ushqimor. Me 5 vinçat e tij terminali është gjithashtu të përpunojë anije me mallra gjenerale.
Terminali ofron një sipërfaqe magazinimi gjithsej prej 200 mijë metra katrorë. Ka dy kalata me gjatësi gjithsej prej 430 metra dhe linjë hekurudhore. Në një fazë të mëtejshme do të ndërtohet një kalatë e tretë, kalata 12.
Në fazën e parë EMS APO-ja synon një kapacitet përpunimi prej më se 1 milion tonë në vit.
Pas përfundimit të gërmimit terminali është në gjendje të përpunojë dy anijeve Supramax dhe kapaciteti i përpunimit do të arrijë në më se 2 milionë tonë në vit.
Shtojcë / “Propozimi i pa-kërkuar”
Vendim Nr. 493, datë 1.8.2012 “Për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të menaxhimit, operimit dhe mirëmbajtjes së terminalit lindor në portin e Durrësit dhe miratimin e bonusit, në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë “Ems Shipping And Trading Gmbh”, Gjermani”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 pikat 1 e 3 dhe 23 pika 3 shkronja “b” të ligjit nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave vendosi:
1. Autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore për dhënien me koncesion të menaxhimit, operimit dhe mirëmbajtjes së terminalit lindor në Portin e Durrësit, është Ministria e Punëve Publike dhe Transportit.
2. Koncesioni do të jetë i formës BOT (ndërtim-shfrytëzim-transferim në pronësi të shtetit).
3. Miratimin e bonusit prej 8.3 (tetë pikë tri) pikësh, për rezultatin teknik, financiar dhe mjedisor në procedurën përzgjedhëse konkurruese (propozim i pa-kërkuar), që i jepet shoqërisë “EMS Shipping and Trading Gmbh”, Gjermani.
4. Ngarkohet Ministria e Punëve Publike dhe Transportit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





