Durrës, 14 qershor 2014 – 49-vjeçari, Kujtim Dyrmishi, i njohur me pseudonimin “Tixhja”, i ekzekutuar sot në plazhin e Durrësit, në një zonë shumë të populluar, mendohet se ka një të kaluar të dyshimtë. Megjithëse hetuesit shprehen mjaft të rezervuar në dhënien e informacionit për të “fortin” e Elbasanit, ekzekutimi mafioz që ju bë Dyrmishit, në mes të ditës, para syve të shumë dëshmitarëve, lë të kuptosh se bëhet fjalë për një atentat të mirëmenduar. Viktima e sotme në Durrës mësohet se ka qenë disa herë i dyshuar për ngjarje kriminale, që nisin nga viti 1997 në Elbasan. Por megjithëse asnjëherë nuk iu provua implikimi në këto ngjarje, ai mbahej në vëzhgim.

Makina e viktimës, Benz-i me targa italiane DP411VF,( siç shihet qartë në foto) është tërësisht i dëmtuar nga vrimat e plumbave nga ana e shoferit. Atentatorët e tij kanë qëlluar me synimin e vetëm, për ta lënë të vdekur në vend, objektivin  e tyre. Dhe vërtet, plumbat e marrë nuk i kanë dhënë asnjë mundësi mbijetese 49 vjeçarit, që humbi jetën në vendngjarje.

Sipas policisë së Durrësit, atentatorët kanë përdorur për ekzekutimin e 49 vjeçarit, dy automatikë tip Scorpions dhe një automatik model 56. Armët u gjetën në makinën e braktisur nga autorët e krimit, poshtë një nënkalimi në autostradën Durrës – Tiranë, në afërsi të Rrashbullit. 

Megjithëse makina me targa Kosove 01204KS (ne foton e fundit) dhe armët janë dërguar për ekspertizë, pak mundësi ka që në to të jenë lënë gjurmë gishtërinjsh, pasi atentati ka qenë i mirëorganizuar dhe ekzekutorët mendohet se kanë ndjekur të gjitha lëvizjet e shënjestrës së tyre dhe kanë qëlluar ne momentin qe kane qene te sigurt se do ta linin te vrare ne vend.

Në 23 janar të këtij viti, në një atentat të tipit mafioz u ekzekutua ortaku i Dyrmishit në firmën e ndërtimit “Enigma”, Xhemal Çela. Ai humbi jetën një ditë më pas, për shkak të plagëve të rënda të shkaktuara nga shpërthimi i telekomanduar.

Sipas disa burimeve, Dyrmishi dhe Çela kanë ndërprerë marrëdhëniet e biznesit kohë më parë, por nuk kanë pasur konflikte mes tyre. Gjithsesi hetuesit nuk përjashtojnë asnjë pistë. Sipas tyre, pista kryesore e hetimit është ajo e hakmarrjes dhe për këtë po hetohet në të kaluarën e dyshimtë të 49 vjeçarit. Orë pas vrasjes, janë marrë në pyetje familjarë dhe të afërm të tij, për të kuptuar, nëse 49 vjeçari kishte konflikte me persona të tjerë, apo nëse i trembej ndonjë atentati të mundshëm. Gjithashtu nuk përjashtohet edhe pista, se 49 vjeçari mund te kete gisht në shpërthimin e telekomanduar që i mori jetën ish ortakut të tij, vrasje kjo, e cila ende sot, pas 6 muajsh, ka mbetur pa autor.

Megjithë ngritjen e postblloqeve të shumtë, policia e Durrësit ende nuk ka bërë të mundur ndalimin e autorëve të krimit.  

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/