Ky është Majlind Habibi, personi që vrau para një jave shokun e tij Branko Shkoza në zonën e Spitallës. Policia arriti ta identifikojë autorin falë hetimeve intensive.

Nga të dhënat e para dhe deklarimet para hetuesve, autori ka thënë se Branko Shkoza i ngacmonte vazhdimisht gruan.

Policia njoftoi mbrëmjen e sotme se në kuadër të operacionit policor të koduar “Kontakti” identifikoi, kapi dhe arrestoi autorin e vrasjes së 33-vjeçarit.

Autori i dyshuar mendohet se e ka shtyrë me qëllim 33-vjeçarin drejt kanalit.

Ngjarja ka pikënisjen më 4 dhjetor, kur babai i viktimës ka kallëzuar në Komisariatin e Policisë Durrës, se prej datës 02.12.2024, djali i tij shtetasi B. Sh., 33 vjeç, ishte larguar nga banesa dhe kishte humbur kontaktet me të.

Shërbimet e Policisë kryen kontrolle intensive dhe më datën 05.12.2024, kanë bërë të mundur gjetjen e trupit të pajetë të shtetasit H.B.

“Nga këqyrja e trupit të viktimës nuk u konstatuan shenja dhune, por nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe veprimeve të tjera hetimore, grupi hetimor krijoi dyshime se ngjarja nuk ishte aksidentale.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore u dokumentua dhe me prova shkencore se shtetasi M. H., 35 vjeç, banues në lagjen nr. 15 Durrës, më datë 02.12.2024, pas një konflikti për motive të dobëta, ka shtyrë duke e hedhur nga një urë në kanalin e ujërave të zeza shtetasin B. Sh, i cili si pasojë e rrëzimit ka humbur jetën“,- njoftoi më herët policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.