Pas vonesës së muajit të kaluar për shkak të orarit të kufizuar të punës së institucioneve bankare, në prill vjen një lajm i mirë për rreth 4000 familje të Durrësit, përfituese të bonusit të qirasë.
Nga fillimi i kësaj jave ka nisur kalimi i subvencionimit të qirasë në llogaritë bankare të të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit, shtëpitë e të cilëve janë shpallur të pabanueshme.
Burime zyrtare të bashkisë Durrës konfirmojnë se nga e hëna e kësaj jave, qytetarët po marrin këstin e katërt dhe procesi do të vazhdojë pa ndërprerje edhe në ditët në vijim.
Nga 3 listat e miratuara me vendim të Këshillit Bashkiak duhet të përfitonin 5451 familje në total, por rreth 1500 prej tyre nuk kanë përfituar asnjë këst qiraje.
Në një intervistë të pak ditëve më parë, nënkryetari i bashkisë, Florian Tahiri, bëri të ditur se 420 familje janë skualifikuar përfundimisht duke qene se banesat e tyre kanë dalë të banueshme, ndërsa 1070 familje të tjera kanë mangësi në dokumentacionin e dorëzuar në bashki.
Paralelisht me procesin e subvencionimit të bonusit të qirasë, grupi i punës i ngritur nga bashkia e Durrësit lidhur me shqyrtimin e dosjeve të procesit të rindërtimit “Shtëpia ime” po vijon punën në ambientet e ish-ALUIZNI-t. Gjatë gjithë muajit shkurt, në 61 sportelet që u hapën nga bashkia Durrës, u plotësuan më shumë se 11 mijë aplikime për qytetarët, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Pak ditë më parë, qeveria Rama ndryshoi vendimin e saj të mëparshëm, të datës 6 janar 2020, lidhur me përcaktimin e rregullave dhe procedurave për përfitimet nga programi i granteve të rindërtimit të objekteve të dëmtuara nga tërmeti i fund nëntorit.
Risia e VKM-së së re është përcaktimi se masa e vlerës së rikonstruksionit ose riparimit, mënyra e përdorimit dhe monitorimi i grantit vendosen nga Këshilli Bashkiak i qyteteve të prekura nga fatkeqësia natyrore.
Pasi bashkitë të kenë bërë vlerësimin e dëmeve, do të përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit edhe individët ose familjet që kanë dëme si më poshtë:
- Deri në 500 000 lekë shtëpitë individuale ose banesat e të cilëve kanë pësuar dëmtime thelbësore deri në të mëdha, që konsistojnë në çarje të moderuara në strukturë ose çarje të mëdha në mure ndarëse dhe mbushëse ose dëmtim i mureve ndarëse dhe perimetralë, siç përcaktohet nga akt-ekspertiza e thelluar;
- Deri në 250 000 lekë shtëpitë individuale ose banesat e të cilëve kanë pësuar dëmtime të lehta strukturore ose dëmtime të moderuara jostrukturore ose çarje në muret ndarëse dhe perimetralë, siç përcaktohet nga akt-konstatimi ose akt-ekspertiza e thelluar
- Deri në 100 000 lekë shtëpitë individuale ose banesat e të cilëve nuk kanë dëmtim strukturor ose kanë dëmtim të papërfillshëm deri në të lehtë jostrukturor, si çarje të lehta në mure ndarëse dhe perimetralë, siç përcaktohet nga akt-konstatimi ose akt-ekspertiza e thelluar.
M.B.





