19 shtator 2015 – Për 500 ndërtimet dhe shtesat e bëra në zonën arkeologjike “A” të Durrësit, që përfshin qendrën historike të qytetit, nuk do të ketë legalizime, ka deklaruar kreu i ALUIZNI-t dhe veprimtar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore Artan Lame teksa ka dorëzuar lejen e 10-mijtë.
Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t Artan Lame i shoqëruar nga Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni dhe nga drejtori i ALUIZNI-t Durrës, Flamur Gjuzi kanë qenë në shtëpinë e Vasile Palukës, e cila ka statusin tetraplegjik, ku i dorëzuan lejen e legalizimit.
Mes emocioneve Paluka së bashku me vajzën e saj kanë falënderuar ekipin e ALUIZNI-t, të cilët në një kohë të shkurtër i kanë përgatitur lejen e legalizimit. “Nuk kam çfarë të them. Jam shumë e emocionuar. Që prej 2006 këtë proces e ka ndjekur bashkëshorti im, i cili nuk arriti ta gëzojë dot. U bë për një kohë të shkurtër dhe pa paguar asnjë lek. Ju falënderoj shumë”, u shpreh Paluka. Me dorëzimin e kësaj lejeje, ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni premtoi se procesi i legalizimit i hap rrugë urbanizimit të ish-zonave informale. Më pas të shoqëruar edhe nga kryetari i Bashkisë Vangjush Dako dorëzuan lejen e 10-mijtë shtetasit Abedin Gjeneci.
Drejtori i përgjithshëm i ALUIZNI-t Artan Lame u shpreh se nga procesi i legalizimit nuk do të përfitojë asnjë nga ata që nuk kanë bërë vetëdeklarimin e pronës informale. Për ndërtimet dhe shtesat e bëra në zonën arkeologjike “A” të Durrësit, që përfshin qendrën historike të qytetit, nuk do të ketë lëshime.
Kreu i Agjencisë së Durrësit Flamur Gjuzi theksoi se 500 objektet e ndërtuara në zonën A të qytetit, në zonën arkeologjike dhe ato të kërcënuara nga fenomeni i erozionit, nuk do të përfshihen në procesin e legalizimeve.
/th. m. DurresLajm/