Durrës, 26 maj 2014 – Prokuroria e Durrësit ka urdhëruar largimin nga porti më i madh në vend i 7 pjestarëve të ekuipazhit të anijes “Era 1”, e bllokuar ditë më parë në kalatat portuale, pasi në bordin e saj u sekuestruan 48 ton cigare kontrabandë. Nga hetimet ka rezultuar se marinarët nuk janë të implikuar në kontrabandën e cigareve dhe për këtë arsye nuk kanë pse të vazhdojnë të qëndrojnë në anije. 5 prej tyre janë nisur drejt vendlindjes, Krimesë, ndërsa 2 të tjerë kanë vendosur të qëndrojnë në mjetin lundrues me qëllim mirëmbajtjen e saj.
Tani për tani ata kanë ushqime dhe ujë, por ndjejnë mungesën e internetit, për faktin se nuk mund të komunikojnë me familjarët e tyre në atdhe.
Dy ditë pas bllokimit të anijes “Era 1” (ish anija “Kavaja” e prodhuar në kantierin detar të Durrësit), u arrestua kapiteni i saj, shtetasi Volodomir Demakov. Për kapitenin 58 vjeçar, gjykata e rrethit Durrës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”. Gjatë seancës gjyqësore, Demakov deklaroi se ishte i pafajshëm dhe nuk kishte kryer asnjë krim. Avokati i tij e ka apeluar masën e arrestit në Gjykatën e Apelit Durrës.
Anija “Era 1” u bllokua nga autoritetet shqiptare mbrëmjen e 16 majit. Anija në fjalë kishte kërkuar të ankorohej në portin e Vlorës për shkak të motit të keq, por më pas u largua pa lajmëruar autoritetet shqiptare. Largimi i saj i papritur bëri që autoritetet të urdhëronin ndalimin e saj. Më pas u zbulua se në bordin e anijes ndodheshin rreth 48 ton cigare kontrabandë, që sipas drejtoreshës së përgjithshme të Doganave Shqiptare, Elisa Spiropali kapnin vlerën 10 milion dollarë dhe ishin destinuar për tregun vendas.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





