DURRËS, 3 qershor 2014 – Një ministër socialist falënderon deputetin dhe kryetarin ende në detyrë të PD Durrës z. Igli Cara për realizëm në çështjen e legalizimit të ndërtimeve pa leje.
“Dyrrah”-u ka mësuar nga burime të besueshme se nuk është pritur mirë në SHQUP dhe në qarqet ekstremiste të PD-së në Durrës “fletëlavdërimi” që i ka dhënë ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit znj. Eglantinë Gjermeni deputetit të opozitës dhe kryetar ende në detyrë i PD Durrës z. Igli Cara kur është diskutuar mbi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar”.
“Dua të falënderoj një deputet të opozitës, z. Igli Cara, i cili e pranoi se nuk kanë bërë një proces për t’u lavdëruar”, këto fjalë janë nyjëtuar nga ministrja socialiste znj. Eglantinë Gjermeni.
Sipas znj. Ministre “në të gjitha komisionet ka pasur superlativa për veten, që bënë një proces të vështirë dhe na e lanë gati. Nga të dhënat nuk rezulton kështu, aq më tepër nga qytetarët që takojmë. Unë jam më se e ndërgjegjshme, e thashë disa herë, që procesi është kompleks dhe i vështirë, por nuk është i parealizueshëm”.
“Motivacioni” i dekorimit nga znj. Gjermeni për z Cara ka të bëjë me deklarimin e kryedemokratit të Durrësit se procesi i legalizimeve duhet parë në kompleks dhe se “unë personalisht hyj tek ata deputetë që mendoj se ka qenë një nga proceset, për të cilat nuk mund të lavdërohemi, por në asnjë moment nuk i gënjyem shqiptarët për legalizime falas”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





