DURRËS, 2 gusht 2014 –  Brenda në qytetin bregdetar çmimet e trojeve për legalizim janë tejet të larta dhe variojnë, sipas zonave kadastrale, 16 619-19 336 lekë metri katror.

Por edhe atje ku parcela masive për legalizim, si në Porto-Romano dhe ish-Kënetë, vlerat e caktuara janë përkatësisht 3 119 dhe 6 385 lekë metri katror, disi më të larta se në rrethinat e Tiranës.

Po ashtu trojet do të kushtojnë shtrenjtë edhe në disa fshatra si Rinia dhe Shkallnuri me nga 2 166, Shën Vlashi 1 970, Rrashbulli 1 906, Katundi i Ri 1 873, Hamallaj 1 083 lekë metri katror.

INFO /Vendim i Qeverisë i 30 korrikut 2014  “Për miratimin e vlerës së pronës për secilin qark të Republikës së Shqipërisë”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 3, të ligjit nr. 9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 3, të vendimit nr. 658, datë 26.9.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e metodologjisë për vlerësimin e pronave të paluajtshme në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave, vendosi:

1. Miratimin e vlerës së pronës, sipas llojit të pasurisë së paluajtshme, për secilin qark të Republikës së Shqipërisë, sipas hartave, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.

2. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 1620, datë 26.11.2008, “Për miratimin e çmimeve të trojeve, që ndodhen në të gjitha bashkitë dhe në disa komuna”, nr. 187, datë 6.3.2013, “Për miratimin e vlerës së pronës për secilin qark të Republikës së Shqipërisë”, shfuqizohen.

3. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Kryeministri Edi Rama

Shënim i “Dyrrah”-ut: Me t’u botuar kjo VKM në “Fletoren zyrtare”, do të botohet tabela e vlerës së tokës për secilin qark.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/