DURRËS, 16 shkurt 2014 – Ditën e Shën Valentinit, më 14 shkurt 2014, i shoqëruar nga vjehrra, Mjeshtre e Madhe Yllkë Mujo, i vetëquajturi “Naltësia e Tij Mbretërore Princ i Shqiptarëve” Leka II, Anwar, Zog, Reza, Baudoin, Msiziwe, dhe e fejuara e tij Elia Muji Zaharia, ishin në lozhën e teatrit “Aleksandër Moisiu” Durrës. Lajmin e raporton një gazetar i “Dyrrah”-ut, i afërt me atë çka ka mbetur nga ish-oborri mbretëror shqiptar. Treshja mondane ishte e pranishme në shfaqjen e premierës së komedisë “Loja e dashurisë dhe rastësisë” (foto, realizuar gjatë provës së përgjithshme nga Gëzim Kabashi i ATSH-së), vënë në skenë nga regjisori Hervin Çuli, si bashkëprodhim i teatrit “Aleksandër Moisiu” Durrës me Universitetin jopublik Evropian të Tiranës. Komedia, e shkruar nga komediografi francez Pjer de Marivo (Pierre de Marivaux, 1688-1763), bashkë me moralin në shoqëri, rikthen dhe skenat e keqkuptimeve të një komedie gazmore. Një vizitë me qëllim fejese në familjen fisnike Ordo dhe vendimi i saj për të njohur të vërtetën në synimet e pretendentit, venë përballë njeri tjetrit gabimisht çiftet e shërbyesve dhe dinjitarëve, në veshje krejt të kundërta. Në këtë spektakël me subjekt “mbretëror” interpretonte edhe aktori-regjisor Amos Muji Zaharia në rolin e Marios. Ai është kunati i të vetëquajturit “Naltësia e Tij Mbretërore Princ i Shqiptarëve” Leka II, Anwar, Zog, Reza, Baudoin, Msiziwe. Është e habitshme që këtë mbrëmje të shënuar në Ditën e të Dashuruarve nuk e kishte pasqyruar në FB-në e saj (shih faksimilen) Elia Muji Zaharia! Ndërkaq, gazetarëve dhe kronistëve të medieve qendrore në Durrës u kishte shpëtuar ky rast i veçantë që do të hapte edicionet e lajmeve në TV dhe faqet e para të gazetave. “Dyrrah”-ut i vjen keq që nuk ka siguruar një foto. Shpresojmë që dikush të ketë shkrepur kamerat.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





