DURRËS, 15 maj 2013– Tre lëkundje tërmeti janë ndjerë pasditen e së mërkurës në Durrës, Tiranë dhe rrethinat e tyre. Sipas Institutit Sizmiologjik, tërmeti me magnitudë 3.6 të shkallës Rihter me epiqendër, 8 km në veriperëndim të Vorës, me thellësi 8 km. Dy lëkundjet e para janë regjistruar rreth orës 17.00 me një diferencë kohore disa minutëshe midis tyre, ndërsa një lëkundje e tretë është ndjerë rreth orës 19.12.
Lëkundjet kanë ngjallur frikë të banorët e Durrësit, Tiranës dhe veçanërisht në zonën e Hamallajt ku dy lëkundjet e para raportohet se janë ndjerë të forta duke qenë pranë epiqendrës. Burime nga prefektura e qarkut të Durrësit pranë së cilës ndodhet dhe zyra e emergjencave civile bënë të ditur se nuk ka të dhëna për dëme materiale, ndërkohë që shumë banorë kanë dalë jashtë shtëpive për të shmangur ndonjë goditje të mundshme më të fortë.Menjëherë dukuria natyrore ka marrë vëmendjen e qytetarëve, të cilët kanë qenë të parët që kanë reaguar përmes telefonatave te të afërmit dhe statuseve në rrjetet sociale.
Bregdeti lindor i Adriatikut dhe Ballkani Perëndimor njihen për aktivitet të lartë sizmik. Një nga tërmetet më të forta që shkatërroi një qytet të tërë në ishullin Pag të Kroacisë së sotme është regjistruar në vitin 361 të erës sonë. Durrësi njihet që në lashtësi si zonë sizmike e goditur shpesh nga tërmete të fuqishme gjë që provohet deri në ditët tona nga ekzistenca e qytetit të lashtë nën Durrësin e sotëm.
Në vitin 2007, gjatë gërmimeve italo-shqiptare, të drejtuara nga misioni arkeologjik i Universitetit të Parmës dhe nga Instituti Arkeologjik në Tiranë dolën në dritë pamjet dramatike të pasojave të tërmetit të vitit 1273, një prej më të fortëve. Ai shkatërroi qytetin dhe vrau një numër të madh banorësh. Në territorin e Amfiteatrit Antik ngjalli shumë emocion zbulimi i katër viktimave: një burrë, një grua, një fëmijë dhe një i ri mes rrënojave të pallatit, i cili mendohet të jetë ndërtuar në fillim të shek. 12-të, në pjesën jugore të amfiteatrit të rrënuar. Sipas studiuesit Hasan Ulqini, burimet e shkruara tregojnë për tre tërmete të tmerrshëm që kanë goditur Durrësin ndër shekuj dhe për ujët e detit që përmbyti një pjesë të qytetit të lashtë të Durrësit e që herëpashere "ndërroi vendin".
Sipas sizmiologëve vendi ynë është një vend me aktivitet të theksuar sizmik dhe veçanërisht Durrësi, Shkodra, Vlora dhe qarku i Korçës renditen ndër zonat me rrezikshmëri më të lartë për tërmete.
/v.q. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





