Durrës, 12 mars 2014 – Gjykata e Apelit në Durrës ka lënë të lira dy studentet Eralda Lika dhe Merushe Beçeri, të arrestuara javë më parë me akuzën për marrje rryshfeti. Për dy studentet e universitetit “Aleksandër Moisiu” Apeli vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa pedagogu Endri Sina, i arrestuar në të njëjtën ditë me studentet, do të qëndrojë pas hekurave deri në përfundim të hetimeve. Së bashku me Sinën u arrestua edhe pedagogia tjetër Odeta Tota, 40 vjeçe, për masën e sigurisë së të cilës Gjykata e Apelit do të shprehet në një tjetër seancë.
Studentët dhe pedagogët u ndaluan nga policia pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në periudha të ndryshme, kanë favorizuar studentë e fakultetit të Infermierisë në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, në provimet e detyrueshme, kundrejt përfitimeve të paligjshme.
Përgjatë hetimeve që kanë zgjatur plot dy muaj, është arritur të provohet me prova ligjore se për çdo provim pedagogët përfitonin si ryshfet nga çdo student shuma parash, që shkonin deri në 15 mijë lekë. Dy studentet dyshohet që kryenin rolin e ndërmjetësve, ku u merrnin lekë studentëve për çdo provim që ata kishin, ndërsa më pas ua kalonin dy pedagogëve. Disa raste janë të provuara me fakte e prova të pakundërshtueshme.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





