Dy të rinj organizatorë të protestës së mbajtur pasditen e sotme para Pallatit të Kulturës u shoqëruan në komisariatin e policisë së Durrësit me akuzën “Tubim i paligjshëm”.

DurrësLajm mëson se një prej tyre është kreu i FRPD Durrës, Artion Barjamaj, i cili është liruar pas kryerjes së procedurave nga ana e policisë, ndërsa i riu tjetër ndodhet ende në komisariatin e policisë.

Policia e Durrësit i shoqëroi të rinjtë menjëherë pas përfundimit të protestës, e cila u zhvillua mjaft e qetë dhe paqësore.

Dhjetëra të rinj protestuan në orën 17.30, me flamuj kuq e zi e pankarta në duar kundër shembjes së Teatrit Kombëtar dhe shkatërrimit të arkeologjisë së Durrësit, të varrosur ndër vite nën beton.  

Protesta e të rinjve durrsakë ishte në shenjë solidarizimi me protestën e mbajtur sot pasdite në kryeqytet, të thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.