Lirohet direkt nga salla e gjyqit mësuesi nga Durrësi Flamur Pajo, emri i të cilit u bë i njohur pak ditë më parë pas publikimit të një videoje ku dhunonte një nxënës 14-vjeçar në klasë. Pajo ka dalë paraditen e sotme para trupit gjykues në Gjykatën e Durrësit, e cila i dha lirimin e menjëhershëm mësuesit të Bio-Kimisë, duke i ndryshuar masën e sigurisë në detyrim paraqitjeje.

Gjykatësja e konsideroi të paligjshëm arrestimin në flagrancë dhe vendosi ta gjykojë me gjykim të drejtpërdrejtë dhe të shkurtuar. Ndërkohë, prokurori i çështjes kishte kërkuar të konsiderohej i ligjshëm arrestimi në flagrancë, por gjykata e hodhi poshtë këtë kërkesë.

Pajo deklaroi gjatë seancës gjyqësore se ka qenë i provokuar në mënyrë të vazhdueshme nga nxënësit e klasës ku ndodhi e gjithë skena e dhunshme, dhe ka vepruar në gjaknxehtësi e sipër. Mësohet se Prokuroria kërkoi akt-ekspertimin mjeko-ligjor të nxënësit, nga ku rezultoi se nuk kishte asnjë shenjë të dukshme dhune.

Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, ishin të shumtë familjarët që kishin ardhur në mbështetje të mësuesit 51-vjeçar, sipas të cilëve, tashmë pas lirimit, do të vazhdojë beteja për rikthimin e tij në shkollë.

Mësuesi 51-vjeçar i Bio-Kimisë, prej 30 vitesh në këtë profesion, i diplomuar me dy universitete dhe i padënuar kurrë më parë, u ndalua dy ditë më parë nga policia e Durrësit, i akuzuar për veprën penale “Kryerja e veprimeve arbitrare”, pas publikimit të videos ku shfaqej duke dhunuar një nxënës të klasë së shtatë, pasi ky i fundit i kishte thënë 'shurdh'.

Menjëherë mësuesi Pajo u shkarkua nga puna, ndërkohë që vetë nxënësi i dhunuar së bashku me shokët e tjerë të shkollës kërkuan rikthimin e tij në shkollë.

Edhe vetë nëna e nxënësit të dhunuar, në një prononcim për “DurrësLajm”, tha se e ka falur mësuesin dhe kërkoi që çdo gjë të përfundojë me kaq.