Nga Thanas Mustaqi
DURRËS, 29 qershor 2014 – E diel e tendosur në portin e Durrësit, land-lord-i (pronar i tokës), nuk lejon bregëzimin në kalatën nr. 6 të një anijeje holandeze, që ka sjellë një vinç modern italian me zero orë pune, porositur nga turqit eTerminalit të Kontejnerëve.
“Dyrrah”- ka mësuar se më 29 qershor 2014 dispeçeria e portit të Durrësit nuk ka lejuar futjen në përpunim të anijes Tramper, me flamur të Holandës.
Transportuesi, i regjistruar në Amsterdam, ka mbërritur në radë, në koordinatat 41.2507 V 19.44712 L, 7 km në jug të portit të Durrësit, në orën 8 paradite (shih raportin ditor dhe hartën e orës 14,30 të datës 29 qershor 2014).
Temper-i është nisur nga porti italian i Monfalkones (Monfalcone) më 27 qershor 2014, ora 5:31, me një ngarkesë të posaçme.
Në bord është një vinç i markës Terex MHC 5150, prodhim italian i vitit 2014, me peshë vetjake 440 tonë dhe aftësi ngritëse 150 tonë, me zero orë pune (në zhargon: vinç “arke”), porositur nga koncesionari turk DCT (Durres Container Terminal – Terminali i Kontejnerëve Durrës) sha.
“Dyrrah”-u ka kërkuar të kontaktojë me krerët e Kapitanerisë dhe të drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të kompanisë shtetërore / publike Autoriteti Portual Durrës (APD) sha, që është dhe pronar i tokës (land-lord) për t’u sqaruar për këtë ngatërresë, duke pasur parasysh dhe mosmarrëveshjet e mëparshme për një vinç të sjellë nga Turqia dhe marrjen me qira të mjeteve ngarkuese të APD sha-së.
Por ishte e pamundur, si me telefon ashtu dhe në terren.
Shkuam në port rreth orës 12:00, por xhang-xhing nga administrata, përveç dispeçerit të turnit; natyrisht, ditë pushimi dhe, për më tepër, vetëm një anije ishte në përpunim: transportuesi Medontario që po shkarkonte 127 copë kontejnerë.
Nga dispeçeri morëm informacionin se urdhrin për futjen në basenin e portit dhe bregëzimin e anijes në kalatën 6 duhej ta jepte me firmë “i madhi”.
Mësuam se sapo ishte nisur në radë me motoskaf grupi i praktikës së lirë (përfaqësues të kapitanerisë së portit, doganës, policisë kufitare, inspektori shëndetësor, agjenti i anijes) për marrjen e dokumetacionit.
Në fakt, grupi i praktikës së lirë shkon në anije vetëm pas bregëzimit; në raste emergjence, kur bëhet fjalë për kontrabandë mallrash, mund të kontrollohet anija në radë.
(Në orën 16:00 të 29 qershorit 2014 menaxherja administrative znj. Ada Kallçaku njoftoi me telefon se dogana e Durrësit kishte dhënë OK për shkarkimin e vinçit, por jo APD sha-ja).
“Dyrrah”-u bisedoi me administratorin e DCT-së z. Mesut Janar (Yanar).
Ishte tejet i habitur me bllokimin dhe nuk kishte asnjë njoftim zyrtar nga land-lord-i (APD sha), teksa ky i fundit kishte marrë dijeni shkresërisht nga agjencia Duni dhe DCT-ja qysh më 27 qershor 2014 për mbërritjen e anijes Tamper me vinçin, investim i koncesionarit turk.
Z. Janar po ashtu tha se nuk kishte mundur të merrte kontakt me drejtorin e përgjithshëm ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës sha, z. Selim Belortaja.
“Nuk e kuptojmë situatën”, tha z. Janar.
Administratori turk i Terminalit të Kontejnerëve bëri të ditur se të hënën, më 30 qershor 2014, vjen për montimin e vinçit grupi i specialistëve italianë.
“Jemi në siklet se si t’ua shpjegojmë italianëve këtë që po ndodh. Po bëhemi padrejtësisht rezil në sytë e prodhuesve të vinçit. Nuk e di se si do të vazhdojë kjo histori. Po na bllokohet padrejtësisht vinçi dhe puna”, tha i dëshpëruar z. Janar, i cili, me këtë rast, kishte planifikuar një drekë dhe therjen e një dashi si kurban të hënën.
I pyetur nga “Dyrrah”-u lidhur me mosmarrëveshjet e mëparshme për rrezikshmërinë e dëmtimit të kalatës nga vinçi i blerë në Turqi, z. Janar sqaroi se për këtë të blerë në Itali, janë hartuar raporte teknike nga universiteti publik Politeknik dhe ai privat Epoka të Tiranës, që garantojnë se mjeti i fuqishëm ngritës u përgjigjet parametrave, që kërkon kalata.
Por, me sa duket, këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me ndonjë tekë të “lordit” Belortaja, por çështja ka mbetur në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, që ndjek koncesionin.
Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka gjetur koncesionin me shkelje ligjore, duke kërkuar rishikimin e tij dhe ka lënë një sërë detyrash (shihni faksimilet e detyrave të lëna nga KLSH-ja).
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





