DURRËS, 14 tetor 2013 – Të luash dhe të vallëzosh, qyteti bregdetar sërish është bërë arenë mbarëshqiptare tradicionale, tani me fëmijët. Të dielën, më 13 tetor 2013, në Durrës është zhvilluar një veprimtari mjaft mbresëlënëse me fëmijë të shkollave të cikleve të ulëta nga hapësirat mbarëshqiptare në kuadër të edicionit të 16-të që është kthyer në traditë për këtë qytet. Në orët e para të ditës me qindra fëmijë kanë mbushur sheshin qendror të Durrësit dhe shkallët e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”. Në ceremoninë e organizuar kanë marrë pjesë rreth 13 grupe shkollash, në përbërje të të cilëve kanë qenë rreth 15 deri 20 pjesëmarrës. Sipas drejtores së Qendrës Kulturore të Fëmijëve Gladiola Busulla, adoleshentët u aktivizuan në veprimtarinë masive që organizohet thuajse çdo vit në Durrës “Play games & Dance”. Ajo ka theksuar se kjo veprimtari ka ardhur këtë vit me një format të ri në edicionin e e 16-të. Në kuadrin e lëvizjes evropiane “Now we move”, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe federatën shqiptare “Sport për të gjithë”, kostumografisë dhe traditës popullore iu shtua dhe harmonizimi i lëvizjeve me performancat e ushtrimet gjimnastikore e aerobi artistike të studentëve të Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve Tiranë. Performanca e studentëve ishte në formë trajnimi për fëmijët për t'i nxitur ata që të mos shkëputen kurrë nga sporti, kërcimi, lëvizja në natyrë. Grupet që morën pjesë në këtë veprimtari kanë qenë nga Tirana, Lushnja, Shijaku, Kurbini, Kavaja, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Kruja, Fushë-Kruja, Durrësi. Rreth 400 pjesëmarrës duke përfshire edhe nxënës të shkollave të Durrësit. Pjesëmarrësit kanë perfomuar me mjaft nivel valle tradicionale të krahinave përkatëse nga vinin dhe ku i kanë kultivuar. Niveli i lartë i ekzekutimit dhe shumëngjyrësia e kostumeve, lojërat popullore kanë ekzaltuar publikun në sallë. Por jo më pak dhe lëvizjet gjimnastikore aq të domosdoshme për secilin prej nesh. Në fund të shfaqjes të gjitha grupeve iu dhurua një kupë, simbol për pjesëmarrjen dhe eventin e radhës së QKF-së. Me mjaft sukses është pritur performanca e grupeve të Durrësit me flamurin kombëtar dhe hartën e Shqipërisë natyrale. Vallja me koreografi të Arian Plakut është ekzekutuar fillimisht për ceremonitë festive të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe u ndoq me shume entuziazëm nga gjithë pjesëmarrësit.
/Mark Brunga për agjencinë e lajmeve “Dyrrah”/





