Durrës, 9 prill 2014 – Në kuadër të luftës kundër korrupsionit, në Njësinë e Përbashkët Hetimore Durrës janë shtuar dy prokurorë. Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar se ka komanduar në këtë njësi prokurorët Dritan Gina dhe Alma Kola, të cilët do t’i shtohen trupës prej 3 prokurorësh që funksiononin deri tani pranë kësaj njësie. Në total në Durrës, numri i prokurorëve të angazhuar në luftën kundër korrupsionit shkon në pesë.

Në një njoftim të saj, Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur sot se gjatë muajve të fundit është konstatuar rritje e ndjeshme e ngarkesës së punës në Njësitë e Përbashkëta Hetimore dhe për këtë arsye, duke e konsideruar luftën kundër korrupsionit si prioritet kryesor të punës së prokurorisë, kryeprokurori Adriatik Llalla e vlerëson të domosdoshme forcimin e Njësitë e Përbashkëta Hetimore me kapacitete njerëzore dhe infrastrukturore.

Në këtë kuadër Llalla vendosi shtimin e prokurorëve në disa prej Njësive të Përbashkëta hetimore Task Forcë në Shqipëri.

 

NDRYSHIMET E FIRMOSURA NGA ADRIATIK LLALLA

Në Njësinë e Përbashkët Hetimore Task-Force, Tiranë shtohen dy prokurorë të komanduar;

– Deniona Katro, e cila do të jetë e komanduar edhe drejtuese e njësisë

– Ramadan Troci

Drejtuesi i mëparshëm kësaj njësie, prokuror Gentian Trenova, do të vijojë të ushtrojë funksionet pranë kësaj njësie. Pas ndryshimit të sotëm, në këtë Njësi do të ushtrojnë funksionet 10 prokurorë.

Në Njësinë e Përbashkët Hetimore, Task-Force Durrës shtohen dy prokurorë të komanduar;

– Dritan Gina

– Alma Kola

Pas ndryshimit të sotëm, në këtë Njësi do të ushtrojnë funksionet 5 prokurorë.

Në Njësinë e Përbashkët Hetimore Task-Force Vlorë shtohet një prokuror i komanduar;

– Albert Kuliçi

Pas ndryshimit të sotëm, në këtë Njësi do të ushtrojnë funksionet 3 prokurorë

Në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan do të strukturohet Njësia e Përbashkët Hetimore Task-Force. Krijimi i njësisë në Elbasan është deklaruar nga Prokurori i Përgjithshëm gjatë analizës vjetore për viitn 2013, e cila u zhvillua në muajin Shkurt 2014. Në këtë Njësi janë caktuar tre prokurorë:

– Enkelejda Millonai

– Bledar Mustafaraj

– Kreshnik Ajazi

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/