Prej ditësh, fruti i freskët i luleshtrydhes ka “përmbytur” tregun e fruta-perimeve në Durrës, duke u bërë një prej produkteve më shumë të pëlqyer për konsumatorin. Ndonëse, me një çmim prej 400 lekë/kg, luleshtrydhen e serave të Lushnjës dhe Fierit jo të gjithë qyterët kanë mundësi ta kenë në tryezat e tyre.
Tregëtarët e pakicës në Durrës, shprehen se furnizimi me luleshtrydhe bëhet në tregun e Tiranës, në Lushnjë dhe në Fier. “Tregtarët e shumicës e sjellin këtë produkt në tregun e shumicës në NISH Tulla në Durrës, dhe shitet nga 15 mijë Lekë deri në 16 mijë Lekë arka. Çmimi shkon 360 lekë/kg i luleshtrydhes së freskët dhe 400 lekë/kg e shesin të pakicës. Lushnja ka superprodhim këtë vit, por nuk i ul çmimet që të kenë mundësi të gjithë ta blejnë. Fermerët er Durrësit ende nuk kanë dalë me prodhimet e tyre. Lushnja e nxorri prodhimin e parë që para Vitit të Ri me një cilësi shumë të mirë,” – thotë një tregtar.
Aktualisht, ky frut shumë i pëlqyer nga të gjithë tregtohet në kuti 0,5 kg, me çmim 200 Lekë kutia.
K. H.





