· Me mbi 40 role në skenë, në teatër dhe estradë, aktorja Lumturi Dashi ka lënë një emër të shquar në historinë e teatrit “Aleksandër Moisiu”.
· “Lumen e deshën të gjithë, përveç fatit”,– thotë regjisori Haxhi Rama.
/ATSH-Gëzim Kabashi/
Durrës, 19 mars 2014– Lumturi Dashi nuk jeton prej gati 6 vjetësh. Por kolegët e saj të teatrit dhe estradës së Durrësit kanë gjithmonë kënaqësi të flasin për të. Bashkë me rolet e shumtë që ka interpretuar në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, ata kujtojnë me nostalgji buzëqeshjen e saj të pandryshuar në vite si dhe miqësinë e mirë që dinte të falte.
Ka dhe një lloj trishtimi në kujtesën e miqve të Lumes, siç e thirrën ata gjithë jetën, një trishtim që lidhet me vitet e fundit të jetës së saj, larg teatrit, por edhe me mungesën e kujdesit për ta kujtuar tani që nuk jeton më.
“Do të mjaftonte një takim i organizuar për të apo një titull mirënjohjeje nga bashkia e qytetit”, – thonë gati njëzëri Haxhi Rama, Aishe Stari e Roland Koça, kolegët e saj të një jete.
Pa mëdyshje do të shtonim se në morinë e qytetarëve të shquar e të thjeshtë, emrat e të cilëve kanë zënë vend në tabelat e reja të rrugëve të qytetit, do të qëndronte me shumë dinjitet edhe emri i aktores Lumturi Dashi.
Teatri dhe estrada, jeta e Lume Dashit
Skena e teatrit “Aleksandër Moisiu” u bë shtëpia e dytë e Lumturi Dashit, e cila ishte gjimnaziste kur u ngjit si aktore për herë të parë, në atë skenë ku për shumë kohë ka qenë kinema “14 nëntori”.
Mungesa e një aktoreje për një rol të komedisë “Dhoma nr 13” i ndryshoi rrjedhën e jetës vajzës së re.
Autori dhe regjisori i komedisë Gjergj Vlashi e kujton vitin 1957 dhe prezantimin me aktoren e ardhshme sikur të ishte dje.
“Lumturia mori pjesë dhe interpretoi bukur në komedi; pastaj në shfaqjet e para të estradës amatore. Kur u krijua teatri dhe më vonë estrada profesioniste, Lumja u inkuadrua në ato trupa dhe punoi aty deri sa doli në pension”,- kujton Artisti i Popullit, Gjergj Vlashi.
Lumturi Dashi interpretoi në shumë komedi dhe shfaqje estrade dhe loja e saj spikaste për thjeshtësinë dhe për kujdesin që tregonte në vizatimin e figurave të ndryshme që i besoheshin. Regjisori Vlashi shton se Lumja ishte vajzë me vullnet e këmbëngulje dhe punonte me kolegët partnerë, duke i ndihmuar apo duke përfituar nga përvoja e tij, pasi thjeshtësia ishte një nga veçoritë e kësaj vajze. Ajo asnjëherë nuk e ngriti zërin për të marrë role ose për të dalë në pah; mbeti gjithmonë e urtë, e butë dhe e përkushtuar në mjeshtërinë e lojës së bukur, por jo të lehtë të aktorit.
Trupa profesioniste e teatrit kishte nisur punë katër vjet më parë dhe ardhja e Lumes u mirëprit si një interprete amatore për rolet e vajzave të reja. Lumturi Dashi iu bashkua aktoreve me emër të Durrësit, si Meropi Xhoja, Vera Urumi, Marta Burda, Rexhina Kolo, Filika Ujkaj etj.
Nis një periudhë e ngjeshur pune për aktoren e re, e cila megjithëse nuk ka arsimin përkatës qëndron me dinjitet pranë aktorëve me emër të teatrit Nikolin Xhoja, Spiro Urumi, Vangjel Heba, Lutfi Hoxha, Tod Thanasi, Teodor Rupi, Kadri Pirro, Ali Bega etj.
Lista jo e plotë e roleve të saj në teatër është shumë e gjatë dhe impresionuese. Është gati e pabesueshme po t’i shtosh kësaj liste edhe numrin e pafund të roleve që ajo ka luajtur me trupën e varietesë, ku aktivizohej shumë shpesh.
Mbi 40 role në skenë
Regjisori i estradës, Haxhi Rama, kujton se Lumja ishte ndër të paktat aktore që punonte me të dy trupat e teatrit, si atë dramatik edhe me estradën. “Fillimisht luante heroinat në teatër, më pas mori pjesë edhe në premierat e para të trupës profesioniste të varietesë, që u themelua më 5 maj në vitin 1960”.- vijon regjisori i njohur.
“Lumja sakrifikoi për teatrin”,– shpreh mendimin e tij Roland Koça, i cili ka punuar një jetë në trupën e estradës.
Lume Dashi ka qenë vërtet lezeti i trupës së teatrit dhe estradës. “Ishte e pranishme në çdo festë dhe nuk i mbetej hatri nga shakatë e shokëve e shoqeve të grupit”, -dëshmojnë kolegët e saj, që bashkë me mirësinë e saj kujtojnë këmbënguljen dhe vullnetin për t’u paraqitur sa më mirë në premiera e shfaqje.
Të gjithë ata që kujtojnë Fadil Hasën në skeçin e sheqerit, mbajnë mend edhe rolin e Lume Dashit, të cilës i binte të fikët kur përmendeshin turshitë. Lumturi Dashi për disa dekada ishte një person publik në Durrës, e gatshme për t’i thënë një fjalë të mirë apo edhe një falenderim spektatorëve të shumtë që e ndiqnin në shfaqje dhe e uronin për rolet e saj.
“Erdhi e re dhe e bukur në teatër dhe ne nuk na besohej kur doli në pension”,-tregojnë me dhimbje kolegët.
“Lumen e deshën të gjithë, përveç fatit”,– thotë përfundimin e tij të trishtuar Haxhi Rama.
“Ajo ishte një nga shoqet tona më të mira, gjithmonë e qeshur, e dashur, me një çiltërsi të rrallë, me një gatishmëri të pashoqe për punën”. Kështu e ka kujtuar më 25 tetor të vitit 2008 kolegu i saj i teatrit, aktori Hysen Bash’hysa, ditën kur familjarë, kolegë, miq e shokë e kanë përcjellë Lumturi Dashin në banesën e fundit.
Lumturi Dashi interpretoi me mjeshtëri në gjini të ndryshme, në drama e komedi, në skeçe e në parodi, duke na lënë në kujtesë portrete të shumta e të realizuara me nivel të lartë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





