Mungesa e prodhimit vendas të agrumeve ka bërë që çmimi i tyre në këtë fillim sezoni të jetë mjaft i lartë.
Portokalli që nuk ka munguar pothuajse kurrë në markatën e Durrësit, nuk e ekziston për shkak të çmimit të lartë të tij, ndërsa me pakicë e me çmime shumë të larta kanë hyrë në tregun e përditshëm në Durrës mandarinat e Sarandës dhe limonët.
Për konsumatorin vendas, çmimet e agrumeve janë të pamundura për t’i patur e shijuar në tavolinat e tyre.
Mandarinat variojnë nga 100 deri në 150 lekë për kilogram, 200 lekë është limoni, ndërsa portokalli është vetëm i importit dhe arrin vlerën 170 lekë kg.
Në kushte të tilla konsumatori i blen me kokrra agrumet në pjesën më të madhe të rasteve, ndërsa shumë të tjerë nuk i blejnë fare.
Tregtarët thonë se këtë vit është krizë prodhimi për agrumet. Dimri i ftohtë me acarin që zbriti në fillim të vitit e që pasoi me një verë super të nxehtë ka bërë që prodhimi të jetë në minimumin e tij.
Mandarina e Sarandës ka hyrë e shtrenjtë, por pritet të zëvendësohet nga mandarina e importit me çmim edhe më të lartë.
Edhe cilësia e agrumeve këtë vit lë shumë për të dëshiruar për shkak se kanë ndikuar faktorët atmosferikë.
K.H.